Çfarë parasheh Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe?
Ky fillim i vitit ka nisur me vizita të shumta në Kosovë të zyrtarëve ndërkombëtarë: amerikanë, anglezë, gjermanë e francezë, veç tjerësh.
Të gjithë duket se kanë një qëllim: themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Por, çka në të vërtetë parash themelimi i një asociacioni të tillë?
Asociacioni parasheh mbledhjen rreth vetes të dhjetë komunave në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Përmes Asociacionit, këto komuna do të përfaqësojnë interesat kolektive të tyre, sidomos në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë. Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
Sipas rikonfirmimit të marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për Asociacionin, objektivat kryesorë janë: ai ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, shkruan DW.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës në vitin 2015, tha se kjo marrëveshje e nënshkruar bie ndesh në disa pika me Kushtetutën, po kjo mund të rregullohet përmes ligjeve.
Gjatë muajit janar në Kosovë dhe Serbi pritet të qëndrojnë edhe diplomatë tjerë amerikanë e evropianë ku tashmë është paralajmëruar se diskutimet pritet të përqendrohen në propozimin franko-gjerman për një marrëveshje finale ndërmjet të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë.