Pendarovski: Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë së shpejti në axhendën e brendshme
Presidenti Stevo Pendarovski mbrëmë priti në takimin tradicional ambasadorët e vendeve të tjera, para të cilëve përmendi edhe sulmet ndaj identitetit maqedonas dhe ndryshimet kushtetuese. Pendarovski theksoi se për Maqedoninë e Veriut periudha e kaluar ishte e mbushur me sfida të mëdha dhe sulme joparimore ndaj identitetit, me të cilat ndoshta, sipas tij, është përballur vetëm Ukraina në historinë e re të Evropës. Para trupit diplomatik Presidenti u zotua se do të përpiqet që vendi të vazhdojë në rrugën e integrimit evropian, dialogut dhe bashkëpunimit me të gjithë fqinjët e saj. Sipas tij, integrimi evropian nuk nënkupton vetëm marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe progres ekonomik, reforma serioze dhe një luftë reale, jo retorike, kundër korrupsionit të lartë. Për ndryshimet kushtetuese tha se do të jenë një proces jo i lehtë.
“Në të njëjtën kohë, këtë vit presim të përfundojmë fazën e shqyrtimit të procesit të negociatave me Unionin dhe të shkojmë drejt hapjes së klasterave. Ndryshimet kushtetuese duhet të jenë së shpejti në axhendën e brendshme dhe në këtë kontekst, ne kemi nevojë për një atmosferë në të cilën të gjitha forcat pro-evropiane mund të bashkohen dhe t’i bëjnë ato ndryshime. Ai proces nuk do të jetë i lehtë dhe çdo provokim apo sulm i mëtejshëm ndaj identitetit tonë vetëm sa do ta komplikojë më tej atë. Me fjalë të tjera, në rrugën evropiane nevojitet një mjedis i qëndrueshëm dhe parashikueshmëri”, tha Pendarovski.