RajoniTop Lajme

Kryeministri Kurti: Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së saj shtet, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës

Shpërndaje

Fjala e plotë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës për 15-vjetorin e Pavarësisë

E nderuara Presidente e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
I nderuari President i Republikës së Shqipërisë, z. Bajram Begaj,
I nderuari Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendëskryeministra e ministra,
Shkëlqesi ambasadorë dhe miq ndërkombëtarë që keni ardhur nga vende të Evropës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e gjetiu,
I nderuari z. George Robertson, sekretari i dhjetë i Përgjithshëm i NATO-s,
Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranëve e invalidë të luftës çlirimtare,
Të nderuar udhëheqës e përfaqësues të institucioneve shtetërore,
Të nderuar prijës fetar,
Të nderuar mysafirë nga Presheva, Medvegja e Bujanoci, Sanxhaku, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi,
Të dashur qytetarë të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,

Vërtet shkurti është muaji me më së paku ditë, por mes tyre, ka një ditë që për nga denduria e peshës kombëtare dhe historike, ka efekt zgjatues ndaj përjetimit tonë të kësaj periudhe të vitit. Ajo është dita e 17-të e muajit shkurt, ditëlindja e Pavarësisë së Kosovës!

Datat e përvjetorëve të ngjarjeve kyçe si kjo, janë stacione ndalimi për refleketim, mes dy lloj kohërrjedhjesh: kohëve ditore të asaj kohe të vazhdueshme dhe të përditshme në njërën anë, si dhe të kohëve historike në anën tjetër, të atyre kohëve që dikur ishin të sotme kurse sot janë të djeshme, ditë të shkuara por që nuk shqiten nga asnjë ditë, të sotme apo të ardhshme qofshin ato. Janë këto lloj ditësh, datat e të cilave regjistrohen si data historike.
E tillë është data e 17 shkurtit, sepse sikur sot, 15 vite më parë, më 17 Shkurt 2008, në po këtë sallë Kuvendi, 109 përfaqësues të zgjedhur nga populli i Kosovës, hodhën firmat e tyre në pergamenën ku ishte dorëshkruar teksti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Pasditen e asaj të diele të veçantë dhe të papërsëritshme, më 17 shkurt 2008, kontinentit të Evropës iu shtua edhe një shtet i ri, kurse botës perëndimore iu shtua edhe një vend ku vlerat demokratike janë thelbi i çdo kursi politik dhe shoqëror. Në një kohë të vështirë politikisht, kur jo vetëm politikanët dhe diplomatët, por edhe teoricienët politikë besonin që kishte perënduar epoka e shtetndërtimeve, shtetformimeve në Evropë, në Ballkan u krijua edhe një republikë parlamentare e mirëfilltë. Kjo falë miliona vullneteve politike që ndër vite thirrën “Kosova Republikë”, derisa këtë parullë politike e kthyen në një emër zyrtar shtetëror.

Akti i deklarimit të pavarësisë së Kosovës dhe shpalljes së saj shtet më 2008, shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm në historinë moderne të Kosovës. Kumti i këtij kapitulli, është vullneti politik i popullit të saj, që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran, demokratik dhe i pandashëm. Ky kapitull, duhet të mbetet i tillë, duke u mbrojtur politikisht dhe përforcuar në vazhdimësi, nga të gjithë, në secilin rast, para çdo sfide!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës këtu e 15 vite më parë, ishte rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificave të skajshme të popullit tonë shqiptar si dhe i ndihmës e përkrahjes aq të nevojshme të partnerëve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë. Krijimi i Republikës së Kosovës, erdhi pas 666 shekujsh të kaluara gjithsej nëpër burgje nga mijëra të burgosur politikë, siç erdhi edhe nga gjenerata të tëra mësimdhënësish që edukuan dhe shkolluan breza të tërë në frymë patriotike dhe atdhedashurie. Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të rënë dhe i secilës jetë të dhënë për lirinë e këtij vendi, siç erdhi edhe nga kontributi i atyre që i drejtuan dhe i zhvilluan proceset politike shtet ndërtuese deri në këtë ditë. Republika jonë, erdhi nga lufta e lavdishme e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtarë që më 1999, na ndihmuan të çlirohemi nga Serbia pushtuese.

Ishin po këta aleatë ndërkombëtarë, që më 2008, mbështetën po ata faktorë vendorë, në koordinimin e gjithë atyre veprimeve të nevojshme politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Që nga atëherë, njësoj si edhe më përpara, partnerët dhe aleatët tanë kanë qenë të pandashëm në rrugëtimin tonë të përbashkët të konsolidimit të shtetit dhe të përplotësimit të subjektivitetit ndërkombëtar të republikës sonë.

Duke kujtuar atë ditë të ftohtë të 17 shkurtit 2008, teksa shënojmë ditëlindjen e sivjetme të shtetit të Kosovës, 15 vjet më pas, vazhdojmë të ndjejmë të rrahurat e zemrave të të gjithë atyre që luftuan dhe punuan për atë ditë, siç ndjejmë të rrahurat e zemrave tona secilën ditë më pas, nga gufimi i tyre prej ndjenjave të krenarisë dhe të përbashkësisë që na jep shteti ynë, Republika e Kosovës. Si mund t’i përmendim sot të gjithë ata që s’ua dijmë emrat. Është fjala popull që shënon dhe tregon të gjithë ata, të gjithë neve bashkë, pra populli si burimi ynë i secilit, si qëllimi ynë i të gjithëve.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit dhe viktimave civile të rënë për lirinë e Kosovës. Njohje dhe përkujtim të gjithë atyre që në panumër mënyra kontribuuan për shtetin e Kosovës deri në këtë ditë dhe më tutje. Mirënjohje e thellë dhe respekt për partnerët dhe aleatët tanë që në secilën fazë të historisë së vendit tonë, e ndihmuan popullin tonë nga shtypja drejt çlirimit e lirisë dhe nga pavarësimi drejt fuqizimit e zhvillimit.

Gëzuar 17 Shkurti dhe urime 15- vjetori i Pavarësisë së Kosovës!

Ju faleminderit.