RajoniTop Lajme

Kurti: Adem Jashari, Adem Demaçi dhe Ibrahim Rugova janë tre emrat që ndërlidhen me Pavarësinë

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 15-vjetorin e Pavarësisë, në ceremoninë e parakalimit të trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës në sheshin kryesor të Prishtinës, ka thënë se është dashur shumë mund që në këto rrugë të protestave në të kaluarën, tani të parakalojnë djemtë dhe vajzat e Kosovës.

Kurti në këtë ceremoni ka thënë se Adem Demaçi, Adem Jashari dhe Ibrahim Rugova, janë tre emrat që ndërlidhen me këtë festë të madhe për Kosovën.

“Dita e sotme kur po e shënojmë 15 vjetorin e shtetit tonë, këta djem dhe vajza që do të parakalojnë janë bijtë dhe bijat e këtij vendi janë të gatshëm ta mbrojnë Republikën e Kosovës. Këto rrugë ku do të parakalojnë janë rrugët tona, në kohërat e mëhershme kanë qenë rrugët e protestave të shumta. Është dashur shumë punë e mund që në këto rrugë të parakalojnë forcat tona. E, Adem Demaçi, Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari janë këta të tre që e ndërlidhin këtë ditë që po e festojmë”, ka thënë Kurti.

Tutje, drejtuar masës, kryeministri Kurti ka theksuar se rruga të cilën Kosova e ndjek dhe aspiron të integrohet është demokracia me Evropën dhe Amerikën.

Ai ka thënë se sa herë festohet Pavarësia, duhet të kujtohen të gjithë ata që kanë derdhur gjak për ta arritur lirinë, sepse sipas tij, duke e ruajtur kujtesën, populli është më i vetëdijshëm për lirinë e tij.

“Çdo ditë Republika vazhdon të jetë shtëpi për të gjithë pa dallim race, kombi, gjine apo feje. Demokracia me Evropën e Amerikën, është rruga që e ndjekim dhe aspirojmë të integrohemi. Le të vazhdojmë bashkë përpara sepse e kaluara e lavdishme e popullit tonë është sininim i rrugës tonë. Sa herë e festojmë ditëlindjen e shtetit tonë i kujtojmë secilën jetë njerëzore që ka derdhur gjak për lirinë tonë. Duke marrë shembuj nga paraardhësit tanë, duke e ruajtur kujtesën tonë, ne do të jemi edhe më të vetëdijshëm për lirinë tonë. Gëzuar 17 shkurti dita e pavarësise dhe 15 vjetori i shtetësisë.”, ka theksuar Kurti./arbresh.info