Kurti dhe Vuçiçi takohen më 18 mars në Ohër
Takimi i radhës i liderëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut do të mbahet më 18 mars në Ohër , ka konfirmuar një zyrtar i Bashkimit Evropian.
Ky do të jetë një takim ku liderët do të diskutojnë planin e zbatimit që është pjesë integrale e Propozimit Evropian – Marrëveshjes drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë.
Skenari i dëshiruar për palën evropiane është që ky të jetë një takim ku liderët do të bien dakord për një aneks të planit që përfshin një kalendar të qartë se kur duhet të përmbushen të gjitha elementet e marrëveshjes.
Diskutimi për propozimin evropian konsiderohet i mbyllur për palën evropiane, pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në takimin e mbajtur më 27 shkurt në Bruksel, u pajtuan për tekstin e propozimit të BE-së.