Rajoni

Policia e konfirmon se veturat që u dogjën në Zubin Potok ishin me targa RKS

Shpërndaje

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka dhënë detaje për rastin e djegies së dy veturave në Zubin Potok.

Komunikata e plotë:
Raportohet djegia e dy automjeteve në Zubin Potok të cilat ishin regjistruar me targa RKS
Prishtinë, 30 mars 2023

Më 30.03.2023, rreth orës 08:15, në stacionin policor në Zubin Potok janë paraqitur dy ankues meshkuj/kosovar të nacionalitetit serb dhe kanë raportuar se gjatë natës, konkretisht rreth orës 02:30, nga persona të panjohur iu janë djegur dy veturat e tyre private me targa të Republikës së Kosovës (RKS), sipas tyre të regjistruara rreth një javë më përpara.

Palët ankuese raportojnë se veturat e tyre kanë qenë të parkuara e lagjen e tyre, para shtëpive të banimit. Pas pranimit të informacioneve njësitet policore menjëherë kanë dal në vendin e ngjarjes duke angazhuar njësitë kompetente policore si dhe janë njoftuar ekspertë të zjarrit.

Lidhur me rastin janë ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, është njoftuar prokurori kompetent me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “zjarrvënie” për procedura të mëtejme hetimore.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbardhjen e rasteve të tilla, shtimin e patrullimeve dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallim.