MaqedoniTop Lajme

Ahmeti takoi shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup: Kemi filluar përgatitjet për ndryshimet kushtetuese

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot ka takuar shefin e Misionit të OSBE-së në Shkup, ambasadorin Kilian Uall.

Ahmeti e ka falënderuar ambasadorin Uall për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i jep vendit, ndërsa kanë diskutuar për kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut me organizatën më të madhe të sigurisë në botë.

“Kryesimi me OSBE-në do të kontribuojë drejt një pozicioni të ri ndërkombëtar të vendit, ndërsa në mënyrë indirekte do të krijohen edhe mundësi që të manifestohet kapaciteti institucional që pritet nga Maqedonia e Veriut si vend anëtar i NATO-s dhe vend pretendent për anëtarësim në BE. Reformat që po zhvillohen në vend, procesi i skriningut si dhe nevoja e ndryshimeve kushtetuese ishin gjithashtu temë e bisedës mes Ahmetit dhe Uall si nevojë e patjetërsueshme që vendi të vazhdojë procesin e integrimit evropian, ndërkohë që Ahmeti e ka informuar ambasadorin Uall për frontin e përbashkët evropian që ka për qëllim finalizimin e këtij procesi me anëtarësim në Bashkimin Evropian”, theksohet në kumtesë.

Ahmeti e ka njoftuar ambasadorin se koalicioni qeverisës ka nisur përgatitjet për ndryshimet kushtetuese dhe ka hartuar plan për realizimin e tyre.

Ahmeti dhe Uall kanë biseduar edhe mbi zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe marrëveshjen e arritur në Ohër, si mundësi e vetme për paqe dhe prosperitet jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë ku me këtë rast u theksua mbështetje për zbatimin e plotë dhe joselektiv të dispozitave të kësaj marrëveshje.