RajoniTop Lajme

Presidentja Osmani: Arbëreshët, shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar!

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Kalabri të Italisë, me ftesë të komunitetit të arbëreshëve të këtij rajoni.

Osmani përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se është nderuar me çmimin “Gjergj Kastrioti” nga Komuna e Frasnitës, duke thënë se ky çmim është mirënjohje për betejën historike të Kosovës për liri si dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Postimi i plotë:

Mirënjohëse për mikpritjen vëllezërve e motrave arbëreshe. Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve.

Falenderoj komunën e Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”. Ky çmim është mirënjohje para së gjithash për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Po ashtu, në zemër të Arbërisë, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, inauguram sheshin, i cili e mban emrin e Republikës sonë, sheshi “Kosova”.

Nga sot, kemi një copëz Kosove në zemër të Kalabrisë!