Edhe pse ka mbi 20% shqiptarë, Komuna e Gazi Babës heziton zbatimin e gjuhës shqipe
Më shumë se një vit e gjysmë për të ndryshuar një tabelë dhe duket se as ky hark kohorë nuk është i mjaftueshëm për Komunën e Gazi Babës që tabelën me emrin e komunës ta zëvendësojë më një tjetër në rë cilën emri do të jetë edhe gjuha shqipe. Që nga shtatori i vitit 2021 kur u bë regjistrimi i fundit i popullsisë dhe nga ku rezultoi se përqindja e shqiptarëve në këtë komunë tejkalon 20, kryetari i Gazi Babës, Boban Stevkovski, në çdo deklaratë ka përmendur procedurat. Këto deklarata ngjallin dilema se si disa institucione arrijnë të ndryshojnë tabelat brenda pak javësh apo një muaji, ndërsa Komuna e Gazi Babës ka procedura për përfundimin e të cilave nuk mjafton një vit e gjysmë.
Ju na thoni se ka procedura, tani a është problemi tek procedurat apo tek vullneti, sepse për kaq muaj kemi parë se janë ndërtuar objekte gjigande, ndërsa nuk mund të ndryshohet një tabelë?
“Kemi pasur takim pune me Agjencinë për Zbatimine Gjuhëve në të cilën janë formuar ekipe punë nga Komuna e Gazi Babës dhe nga Agjencia e cila përcakton dinamikën e zbatimit të procedurave të caktuara që si komunë jemi të detyruara t’i zbatojnë në përputhje me ligjin. Sa i përket vendosjes së tabelave grupi i punës ka konstatuar dinamikë të caktuar dhe në përputhje me kompetencat tona në periudhën e ardhshme do të ndodhë ajo që e kërkoni ju”, tha Boban Stevkovski, kryetar i Komunës së Gazi Babës.
Kur është ajo periudhë e caktuar, sepse këtë po na e thoni që në janar?
Do të bisedoj me përfaqësuesin e autorizuar nga Komuna e Gazi Babës si kryetar i grupit të punës që të më informojë. Sigurisht që ne duhet të sigurojmë mjete për ndryshim të tabelës dhe do ta bëjmë, nuk ikim nga përgjegjësitë tona ligjore”, u përgjigj Boban Stevkovski, kryetar i Gazi Babës.
Nga Agjencia e për Zbatimin e Gjuhëve thonë se Komuna e Gazi Babës nuk ka dërguar asnjë kërkesë zyrtarë për përkthim të tabelës edhe në gjuhën shqipe.
“AZGj-ja ju njofton se Komuna e Gazi Babës nuk ka dërguar asnjë kërkesë zyrtare për përkthimin në gjuhën shqipe të tabelës në hyrjen e Komunës dhe të asnjë lloj tabele tjetër. Gjithashtu AZGj-ja ju informon se nuk kemi krijuar asnjë grup pune të përbashkët me Komunën e Gazi Babës në lidhje me këtë çështje”, thonë nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve.
Nga Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve thonë se nga Komuna e Gazi Babës më 3 shkurt apo më shumë se një vit nga regjistrimit i popullësisë kanë pranuar vetëm se një kërkesë për përkthim të 14 formularëve, dhe të njëjtët i janë kthyer komunës të lekturuar nga gjuha maqedonase në atë shqipe më datë 12 shkurt. /Alsat/