RajoniTop Lajme

Kryetari i ri i Zveçanit do të betohet në Kullën e Isa Boletinit

Shpërndaje

Izmir Zeqiri, Lulzim Hetemi dhe Ilir Peci nesër do të betohen si kryetarë të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit. Ata dolën fitues në zgjedhjet e 23 prillit, të cilat u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët në votime dhe bojkotimin e Listës Serbe. Se ku do ta kryejnë procedurën betimit, kanë dhënë detaje tre kryetarët e sapozgjedhur.

Izmir Zeqiri nesër do të betohet si kryetar i Zubin Potokut në orën 10:00 në zyret komunale në fshatin Çabër.

“Seanca do të mbahet në zyrat komunale në Çabër në orën 10:00”, tha Zeqiri.
Në të njëjtën orë do të betohet edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci. Mirëpo ky i fundit betimin do ta bëjë në kullën e heroit Isa Boletini në fshatin Boletin.

“Seanca do të mbahet në kullën e Isa Boletinit në Boletin”, tha Peci.

Tri orë më vonë prcedurën e betimit do ta kryejë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, i cili ishte kandidat i VV-së.

“Nesër në orën 13:00 në Bistricë në zyrën lokale”, tha ai.

Për betimin e kryetarëve të rinj ka folur edhe kryeministri Kurti në fjalën hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore dhe betimin e kryetarëve të rinj.

Ai tha se nesër në ndërtesat publike të këtyre komunave do të bëhet edhe betimi i kryetarëve të rinj që kanë mbetur ka e kryer këtë procedurë.

“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, tha Kurti.

Procedurën e betimit e ka kryer të premtën e kaluar kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. Para mbajtjes së seancës solemne, në objektin e komunës u vendos flamuri i Kosovës.

Vendimi i parë që Atiq mori, ishte emërimi i Katarina Agjanqiq nga komuniteti serb si nënkryetare të Komunës.

Atiq, pas betimit tha se do të punojë pa dallim dhe pa diskriminim me të gjithë qytetarët.

Në katër komunat veriore u mbajtën zgjedhjet më 23 prill pasi kryetarët e atëhershëm dhanë dorëheqje nga postet e tyre për shkak të vendimit të Qeverisë Kurti për targat. Në këto zgjedhje, Lista Serbe nuk mori pjesë, kështu duke ndikuar edhe në pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve serbë në zgjedhje.