RajoniTop Lajme

Kurti flet sërish: E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna

Shpërndaje

Pavarësisht reagimeve të shumta kryeministri, Albin Kurti ka thënë se e ka mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe “mirë po shkon puna”.

Kurti ka thënë se ajo që ka ndodhur dje ka qenë synim që kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike të kenë qasje në zyrat e tyre për t’iu shërbyer qytetarëve pa dallime.

“Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, ku bashkë këtu është edhe kryetari i Pejës na kanë ftuar në një takim me ambasadorët dhe diplomatët tjerë të akredituar në republikën tonë, ku edhe unë ju bashkëngjita dhe i falënderojë shumë për ftesë. Por sa i përket ditës së djeshme, ajo që është e rëndësishme të theksohet është se krejt çka kemi synuar ne si qeveri dhe si institucione të Republikës së Kosovës është të mundësojmë kryetarëve të komunave të zgjedhur në mënyrë demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet që të ju shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje e prejardhje… E kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë. E kemi dhe mirë po shkon puna”, ka deklaruar Kurti për mediat vendore.

Për ngjarjen e djeshme ka pasur reagime të shumta duke e cilësuar si provokim vendimin e Qeverisë në veri të vendit.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, dje tha se masat e dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, tha ai.

Kurse Kryeministri përmes një reagimi që ka bërë të shtunën në Facebook, ka thënë se shkuarja e kryetarëve në vendet e punës do të ishte gjëja më normale, ku objekti i komunës është vendi ku qytetarëve u jepen shërbime në bazë të ligjit e kushtetutës

“Pas betimit të tyre të enjten, dje, tre kryetarët e zgjedhur në zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat në veri të Kosovës, e kanë pasur ditën e parë të punës. Shkuarja e kryetarit të komunës në vendin e tij të punës do duhej të ishte gjëja më normale e mundshme. Objekti i ndërtesës së komunës është vendi ku u shërbehet qytetarëve mbi bazën e ligjit e kushtetutës. Ai i takon Republikës prandaj edhe nuk është marrë dje e nuk do të merret asnjë ditë tjetër”, ka shkruar Kurti,

Teksa Aleanca ushtarake e NATO-s, u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shtensionojnë menjëherë situatën në veri të shtetit dhe të zgjidhin situatën përmes dialogut.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu në Twitter ka thënë që KFOR-i do të jetë vigjilent dhe do të ofrojë mjedis të sigurt në veri./teve1.info./