RajoniTop Lajme

Policia për veriun: Situatë e qetë, por e brishtë

Shpërndaje

Policia e Kosovës njoftoi se situata në Leposaviq, Zubin-Potok dhe në Zveçan është e brishtë, por e qetë. Ajo iu bëri thirrje qytetarëve të martën për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve të dhunshme “dhe provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato”.

Sipas autoriteteve, po vazhdohet angazhimi në ofrimin e sigurisë dhe në mbarëvajtjen e protestave, në koordinim me KFOR-in dhe institucionet relevante.

Njoftimi nga Policia:

Policia e Kosovës kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
Prishtinë, më 30 maj 2023
Referuar rrethanave dhe zhvillimeve të ndodhura dje (29.05.2023), ku protestues, individë/grupe kriminale, me dhunën ekstreme të shfaqur, kanë bërë që situata në aspektin e sigurisë në veri të vendit të përshkallëzohet dhe të degradojë deri në rrezikim të jetës së njerëzve, përfshirë jetën e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë.
Protestat në tri komunat në veri të vendit Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan po vazhdojnë edhe sot pranë objekteve komunale, situata aktualisht vlerësohet të jetë e brishtë, por e qetë.
Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare, po vazhdon me angazhime në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave, si dhe po bashkëpunon/koordinon aktivitetet me KFOR-in dhe institucionet relevante. Njëkohësisht njësitet policore janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore lidhur me rastet dhe zhvillimet e djeshme.
Policia e Kosovës edhe sot fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e thirrjeve për protestë të dhunshme dhe provokime të çfarëdo natyre qofshin ato.