RajoniTop Lajme

Kurti i drejtohet opozitës: Arrestimin e kriminelëve në veri, a me bo me koordinim a pa koordinim?

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka debatuar me deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës për situatën e krijuar në komunat veriore të vendit.
Deputetët e opozitës e kanë kritikuar Kurtin për veprimet e Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se për të gjitha vendimet, kryeministri nuk është koordinuar me miqtë ndërkombëtarë, shkruan lajmi.net.

Kurti është kritikuar edhe për deklaratat e tij pas reagimit të ndërkombëtarëve që kërkonin qetësimin e situatës në veri, pasi që së fundi ai deklaroi se “është zgjedhur prej qytetarëve dhe jo prej ambasadorëve”.

Në momentin që doli në foltoren e Kuvendit, Kurti foli edhe për akuzat ndaj tij për identifikimin e krerëve të “bandave kriminale” në veri, por mos arrestimin e tyre.

“Unë e kam një pyetje edhe për Krasniqin, edhe për Abdixhikun dhe Abelard Tahirin. Ju më pyetët pse nuk po i arrestoj kriminelët në veri, pasi që i përmenda me emër dhe mbiemër, pra njihen në opinion. Unë ju falënderoj për mbështetjen që ma dhatë në këtë pjesë, por po ju pyes, a duhet t’i arrestoj me koordinim a pa koordinim? Kjo pyetje ke për Krasniqin dhe Abdixhikun, ndërsa për Tahirin po e pyes ‘a me shurdhues a pa shurdhues?’ Pra, arrestimi i tyre duhet të ndodh, por ju duhet të më tregoni ‘a me koordinim a pa koordinim?’”, ka deklaruar Krasniqi.

Fjalimi i plotë:

I nderuar Kryetar i Kuvendit, z. Glauk Konjufca,
Të nderuar deputetë, zëvendëskryeministra, ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Të dashur qytetarë,

Pas dorëheqjes në formë të organizuar të katër kryetarëve të komunave në veri të Mitrovicës, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, me 5 nëntor të vitit të kaluar, u patën shpallur zgjedhjet e reja të parakohshme për datën 18 dhjetor. Mirëpo, më datën 10 dhjetor, pra 8 ditë paraprakisht, me ftesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së saj, znj. Vjosa Osmani, ne morëm pjesë në një takim të përbashkët si kryetarë të subjekteve politike, për ta diskutuar shtyrjen e këtyre zgjedhjeve me rekomandimin edhe të partnerëve e miqve tanë ndërkombëtarë, për shkak të sigurisë së cenuar në Kosovë. Asokohe, mbi bazën e vlerësimeve të institucioneve të sigurisë për situatën në terren dhe në konsultim e në koordinim me faktorët ndërkombëtarë, me 10 dhjetor, pra në Ditën Ndërkombëtarë të Drejtave të Njeriut, zgjedhjet u shtyn për 23 prill të këtij viti. Pra, për katër muaj.

Shteteve aleate të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian ua pranuam kërkesën dhe vendimin për shtyrje të cilin e dakorduam bashkërisht në një mbledhje me kryetarët e partive. Pra, ishte një rekomandim me të cilin pajtoheshim duke pasur parasysh vlerësimin e organeve të sigurisë të Republikës së Kosovës.

Po atë ditë, pra me 10 dhjetor të vitit të kaluar me urdhër të Presidentit të Serbisë, 16 barrikada u vendosën në rrugët në veri të vendit të cilët patrulloheshin e udhëhiqeshin nga njerëz të sanksionuar edhe nga Thesari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe nga Zyra e Sekretarit të Jashtëm të Britanisë së Madhe.

Ishte e qartë tashmë që plani për dorëheqje i Listës Serbe, në komunat në veri përfshinte qëllimin e destabilizimit të Kosovës përmes ngritjes së barrikadave.
Në vitin e kaluar i patëm mbyllur 16 rrugë ilegale në veri, edhe mbylljes së 16 rrugëve ilegale iu përgjigjen me 16 barrikada.

Zgjedhjet duhej të mbaheshin. Njëherë u shtyn nuk mund të shtyheshin sërish.

Më 7 prill unë i kam bërë thirrje komunitetit serb në Kosovë që të marrin pjesë në zgjedhje. Më 19 prill Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Gabriel Escobar, deklaroi se ‘Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i njohin rezultatet e zgjedhjeve në katër komunat në veri të Kosovës, edhe pse serbët do t’i bojkotojnë ato dhe u bëri thirrje serbëve që të kthehen në institucione. Qeveria e Kosovës ka obligim kushtetues. Do të ketë zgjedhje dhe ne do t’i njohim rezultatet dhe shpresojmë që serbët të kthehen në një moment’.
Njihej procesi, njihej rezultati, njihej betimi, njihen kryetarët e komunave.

Më 20 prill Presidenti i Serbisë deklaroi se komuniteti serb nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, dhe bën thirrje për bojkot.
Më 21 prill Lista Serbe bën thirrje për bojkot të zgjedhjeve. Në këtë ditë po ashtu lideri i Partisë të Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq, tërhiqet nga gara. Po të mos tërhiqej ai do të ishte sot kryetar i Leposaviqit. Mirëpo, dy ditë para zgjedhjeve u tërhoq.
Më 23 prill mbahen zgjedhjet, asnjë incident. Organizim i shkëlqyeshëm i Komisionit Qendror Zgjedhor.
Më 19 maj bëhet betimi i kryetarit të ri, në Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, asnjë incident.
Më 25 maj bëhet betimi i tre kryetarëve të rinj në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan. Asnjë incident.
Më 26 maj, ditën kur kryetarët e rinj në tri komuna fillojnë ditën e parë të punës, ata përballen me pengesa nga protestues, të cilët sulmojnë Policinë e Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it. Në këtë pikë, më duhet të theksoj se shoqërimi i kryetarëve të rinj me forcat e sigurisë, është vlerësim i institucioneve të sigurisë, të cilët vlerësojnë shkallën e rrezikshmërisë, pra nuk është vendim politik, por unë si kryeministër e mbështes këtë. Edhe atëherë edhe sot. Kanë vlerësuar drejt. Dhe, në ditët në vijim u dëshmua që kanë vlerësuar drejt. Përndryshe, po të mos ishte ashtu, ne do të kishim kryetarë të komunave, të cilët goditen nga ato bandat kriminale, sepse do të ishin të ekspozuar ndaj sulmit, i cili ishte i parapërgatitur dhe kërkonte pretekst.
Po e them këtë, sepse të shumtë janë ata, të cilët praninë e forcave të policisë e kanë quajtur si hyrje me forcë në ndërtesë. Nuk ka nevojë ta quajmë hyrje me forcë në ndërtesë, sepse ajo ndërtesë është e Republikës së Kosovës. Nuk hyn policia me forcë në ndërtesë të vet. Nuk hyn Kryetari i Komunës me forcë në ndërtesë të vet. Ajo është zyra e tij. Nuk ka pasur asnjë arsye që të hyhet me forcë në ndërtesë, por ata që e shohin vetëm fotografinë e policisë në sekondën kur hyn Kryetari, sikur ndërtesa të mos ishte e rrethuar me njerëz, të cilët pasi që e kishin blinduar portën dhe derën, nuk dëshironin të hynte askush.

Më lejoni me këtë rast t’ju njoftoj, Lista Serbe i ka braktisur institucionet në veri dhe Parlamentin këtu, përveç kur duhet ardhur për t’u nënshkruar për me marrë pagën. Kjo braktisje e institucioneve është pasuar me braktisje të procesit zgjedhor dhe njëkohësisht me braktisje të ndërtesave.

Kur kanë hyrë kryetarët e komunave në ndërtesa, ndërtesat kanë qenë të zbrazëta, por të blinduara. Ata i kanë braktisur ndërtesat. Ata e dinë që nuk janë të tyret. Ndërtesat janë të Republikës, por në momentin kur po hyn Kryetari, ata po shkaktojnë pengesa. Pra, ata nuk po i duan ndërtesat. Ata po dëshirojnë që as ne të mos i duam ato. Ata i kanë braktisur ndërtesat.
Unë kam pasur hall, që kur vjen puna me hy Kryetari i Komunës në Leposaviq, në Zveçan ose në Zubin Potok, çka do të bëjnë serbët, që janë administratë brenda? Por, ata i kishin braktisur ndërtesat. Ndërtesat kanë qenë të zbrazëta dhe natyrisht që aty hyn Kryetari i Komunës, po kush tjetër? Strukturat paralele nuk i donë as ndërtesat zyrtare.

Pastaj, fakti që ka pasur pengesë në hyrje të ndërtesës së komunës, ku është vendi zyrtar i kryetarëve të rinj të zgjedhur, prezenca e policisë ka qenë e justifikuar, pasi është dashur që të sigurohet hyrja e tyre e pa penguar, dhe nëse e vëreni diskutimin që ka polici i Republikës së Kosovës, Komandanti i Njësisë me protestuesit, e sqaron gjithçka. Kemi nevojë për korridor për qasje. Ne duam të punojmë. Ne duam të funksionojmë. Mirëpo, kur nuk krijohet mundësia për korridor për qasje, natyrisht që na duhet ndërtesa. Dhe, Policia e Republikës së Kosovës këtë aset të Republikës së Kosovës e merr nën kontroll. Një aset të braktisur prej atyre, që shtiren se zgjedhjet ishin ilegale apo jo legjitime.

Mandej, kemi datën 29 maj, ditën e hënë të kësaj jave, ku një pjesë e mirë e bandave kriminale, të cilët ishin me gjasë në tubimin e presidentit të Serbisë, me 26 maj, u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Tanimë kemi pamje të mjaftueshme, me video e me foto, të cilat dëshmojnë se eskalimi i situatës me 29 maj ishte i planifikuar, ishte mirë i organizuar dhe kishte autorë.
Autor është Beogradi zyrtar, i cili është kujdesur që shqetësimet e shprehura nga zëra të ndryshëm të cilët paralajmëronin eskalim të situatës nëse policia nuk tërhiqet, nëse kryetarët nuk shkojnë në punë, që këto shqetësime t’i kthej në realitet.

Pra, ngritja e shqetësimeve të shumta për eskalim të situatës bëri që Serbia të mobilizoj grupet kriminale që vërtetë ta eskalojnë situatën. E kundërta duhej të ndodhte. Pas deklaratave mbështetëse për mbajtjen e zgjedhjeve dhe njohjen e rezultatit zgjedhor, çdoherë duke ditur bojkotin e komunitetit serb, duhej të mbështeteshin kryetarët e ri që të punojnë në vendin e tyre të punës.

Pra, ajo që mungonte me 25 maj, pas betimit të kryetarëve, e që po mungon ende është deklarata se në përputhje me procesin, të cilin porsa e përmenda, të mos pengohet puna e kryetarëve të ri deri në zgjedhjet e reja. Kjo është deklarata e munguar. Deklarata e munguar, e shoqëruar me shqetësimet e tepruara nuk i ka ndihmuar situatës.
Kjo kronologji e ngjarjeve është me rëndësi pasi që tregon se institucionet e Kosovës kanë bërë detyrat e tyre. Ne kemi vepruar në përputhje me obligimet kushtetuese dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, kjo kronologji tregon gjithashtu që ka pasur jo vetëm konsultim, por edhe bashkërendim me partnerët ndërkombëtar. Pra, nuk ka pasur asnjë befasi, pasi ky ka qenë një proces me shumë hallka, e ku hallka e fundit e ishte shkuarja e kryetarit me çantë në vendin e tij të punës.

Ajo që duhet të kuptohet, e më duhet ta përsëris që të jem sa më i qartë, është se pasuria e objektet publike të Kosovës i takojnë Republikës së Kosovës, e Republika është e qytetarëve. Republika është forma e shtetit tonë. Shteti është sovran, populli është burimi i sovranitetit.

Përdorimi i tyre rregullohet me ligj në këtë Kuvend ku është i përfaqësuar populli dhe mbrojtja e tyre po ashtu rregullohet me legjislacion e ku organet e sigurisë janë të thirrura të zbatojnë atë sipas mandatit të tyre.

Unë nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale të llojit fashist-paramilitar kërcënojnë rendin kushtetues e ligjor të Republikës. Jam i vetëdijshëm që jo të gjithë ata që po marrin pjesë në grumbullimet përpara objekteve janë pjesë e grupeve të tilla, por, fatkeqësisht, shumë qytetarë serb për shkak të presionit e kërcënimit të Beogradit zyrtar janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale.

Dhe aty janë tri kategori: kategoria e parë janë këta kriminelët e mbrojtjes civile. Këta janë kategoria e parë. Këta janë ajo pjesa ekstremiste, shoveniste, nacionaliste, e cila e admiron Millosheviqin edhe Putinin edhe merr pjesë në protesta të dhunshme. Kategoria e dytë janë ata nga administrata publike, të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagën, se vendin e punës nuk e di a e kanë. Dhe kategoria e tretë, janë kompanitë e Radojçiqave dhe Veselinoviçave të cilët ju jepin ditë pushimi punëtorëve me kusht që me shku në protesta të dhunshme. Pra, ua kushtëzojnë vendin e punës me protestë të dhunshme edhe kur shkojnë në protestë të dhunshme ua shkruajnë ditë pushimi. Këto janë tri kategori.
Nëse vëreni me kujdes, në Zveçan mblidhen disa qindra, në Leposaviq edhe në Zubin Potok disa dhjetëra, nganjëherë disa qindra, por në ballë të tyre janë përgjithësisht këta të mbrojtjes civile.

Ne shqiptarët kemi shumë përvojë historike në organizim të protestave e demonstratave ku shprehim pakënaqësinë. Protestat vijnë prej poshtë. Këto nuk janë protesta prej poshtë. Këtë janë protesta nga lartë. Që do të thotë se nuk janë protesta. Nuk ka asgjë autentike në ato protesta. Nuk është vullnet i popullit ai. Është direktivë e Beogradit. Dhe mua më vjen keq për qytetarët serb të cilët detyrohen të dalin në këto protesta, sepse unë mendoj se ata sot janë njerëzit më të pa lirë në Republikën e Kosovës.

Pikërisht ai qytetari serb që duket që po e shpreh një vullnet aty para Komunës atij i mungon më së shumti liria, por jo për shkak të Prishtinës, por për shkak të Beogradit. Ata duhet të çlirohen nga kjo milici fashiste dhe Republika e Kosovës me policinë e saj dhe organet e saj po e bënë pikërisht këtë gjë. Sot nuk është në pyetje çlirimi i Kosovës, sot është në pyetje çlirimi i komunitetit serb nga milicia fashiste dhe ne duhet t’i ndihmojnë serbëve që të çlirohen nga milicia fashiste, jo të dorëzohemi përballë tyre.

Unë ndjej keqardhje maksimale për sulmet që ndodhën dhe po ndodhin ndaj anëtarëve të policisë tonë, ushtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve, dhe e shpreh falënderimin tim për të gjithë, për kurajon e për sakrificën, në veçanti për anëtarët e policisë sonë që në mënyrë të dinjitetshme, patriotike e të përgjegjshme po e mbrojnë Kushtetutën dhe ligjin në shtetin e tyre të pavarur, të cilët i shërbejnë me përkushtim. Unë besoj se ka shumë gjëra ku mund të mos pajtohemi, të gjithë i kemi opinionet dhe mendimet tona, por është Republika, ligji Kushtetutshmëria ato të cilat na bashkojnë.

Për vite me radhë nga partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtar na është thënë që kërcënimi më i madh për Kosovën është shkalla e lartë e korrupsionit dhe krimit të organizuar që na i pengon sukseset e Kosovës. Ne i kemi dëshmuar se jemi partnerë të denjë të miqve tanë ndërkombëtar me avancimin demokratik e ekonomik të Kosovës. Ajo që i bënë bashkë partnerët tanë ndërkombëtarë janë vlerat e përbashkëta dhe besimi se këto janë universale që duhet të mbrohen me çdo kusht. Qëllimet, vizionet, vlerat, interesat i kemi të përbashkëta.
Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian, e më gjerë. Ne jemi thelbësisht transatlantik. Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, bashkë me njëra-tjetrën dhe bashkë me neve.

Por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik. Serbia nuk është vend demokratik. Në Serbi shtypen liritë dhe të drejtat e njeriut, shtypet opozita dhe Rusia e ka qendrën e saj rajonale.

Ju e shihni ne shqiptarët që jemi 93% në Kosovë, sa shumë parti politike kemi. Atje në kolonën e mesme e në rreshtin e fundit i kemi pakicat jo serbe i kemi romët, egjiptianët, ashkalinjtë, i kemi boshnjakët i kemi turqit. Secila pakicë kombëtare i ka disa parti mirëpo në vendin tonë të dashur deputetë ekziston një komunitet që nuk po lejon më shumë së një parti për shkak të Beogradit, vetëm Lista serbe dhe asnjë tjetër. Kosova sot nuk është demokratike në veri sepse Beogradi nuk lejon më shumë se një parti. Beogradi dëshiron një shtet, një parti, një udhëheqës, një kishë. Por nuk ka demokraci pa pluralizëm politik, komuniteti serb ka nevojë për pluralizëm politik, dhe unë ju ftoj secilën e secilin prej jush që ta ndihmojmë komunitetin serb të ketë pluralizëm politik. Ata kanë nevojë për më shumë parti, andaj unë ju lutem që të bëni gjithçka që është e mundur që t’i ndihmojmë të çlirohen, të jenë të lirë sikurse ne të tjerët dhe njëra ndër mekanizmat kryesor është pluralizmi politik. Ne kemi dhjetëra parti secila pakicë kombëtare ka disa parti, vetëm komuniteti serb i cili është i shtypur vetëm një parti, ky është thelbi i problemit.

Serbia po shfaqë agresion të hapur ndaj Kosovës edhe përbën kërcënim për rajonin pikërisht sepse nuk ndan vlera të përbashkëta me partnerët e miqtë tanë ndërkombëtarë, demokratizimi i Serbisë është i nevojshëm por Kosova nuk mund të paguajë për demokratizimin e saj. Ne jemi të gatshëm ta ndihmojmë demokratizimin e Serbisë, por jo të paguajmë për demokratizimin e Serbisë.
Kosova nuk mund ta kompensojë Serbinë për mosndëshkimin e Rusisë dhe as për humbjen e luftës në Kosovë. Unë dëshiroj që të gjitha të drejtat e serbëve të jenë të plotësuara dhe të gjitha kërkesat e tyre të jenë të dëgjuara. Prandaj edhe jam kryeministër i të gjithëve. Mirëpo, nuk mund ta kompensoj Beogradin pse regjimi i Millosheviqit që bëri gjenocid ua humbi luftën edhe sipas pikëpamjes tonë, por territorin vetëm sipas pikëpamjes së tyre, se ky territor kurrë nuk ka qenë i tyre. Ky territor ka qenë i shtypur prej tyre, jo i tyre.
Andaj është tejet e rëndësishme që këtë t’ua bëjmë të qartë të gjithëve. Duam ta ndihmojmë demokratizimin dhe evropianizimin e Serbisë, po nuk paguajmë çmim si shtet e si territor për këtë.
Tash Parlamenti Evropian në raportin për Kosovën muajin që lamë pas, tek pjesa e demokracisë dhe sundimit të ligjit, pika 29, na u tha që është i shqetësuar për rritjen e ndërhyrjeve të huaja keqdashëse në formën e fushatave të dezinformimit dhe keqinformimit të organizuara nga disa aktorë, veçanërisht nga Rusia dhe Kina.
Andaj të gjithë qytetarët e Republikës, të gjithë zyrtarët e shtetit, të gjithë përfaqësuesit e popullit i lus të kenë kujdes se ku, kur dhe si informohen. Përcjellni komunikatat e Policisë së Republikës, aty e keni të vërtetën. Për gjendjen në teren, deklaratat që lëshohen nga organet tona të sigurisë janë ato që janë edhe të sakta edhe të vërteta.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës,
Rolin kryesor në organizimin e protestuesve ne terren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajturës “Mbrojtje Civile” dhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës ku është parë prezencë e madhe e tyre në teren. Këto protesta me gjithë dashakeqësinë e tyre neve na kanë shërbyer që të bëjmë identifikime të vlefshme.
-Millorad Jevtiq është njëri nga drejtuesit e këtij formacioni ilegal. Shtëpia e tij në Zveçan është shndërruar në “bazë qëndrimi” të drejtuesve të kësaj strukture ilegale. Gjithashtu, ka prezencë të madhe të përfaqësuesve politik të Listës Serbe në atë shtëpi. Ata janë duke punuar në mobilizimin e strukturave atje për prezencë sa më të madhe para objekteve komunale dhe duke orkestruar sulme të ardhshme.
-Miqko Jeftiq, pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile” në Zveçan.
-Bashkë me të Rajko Jeftiq, ish këshilltar i Listës Serbe në Zveçan dhe ish drejtor në komunën e Zveçanit, babai i Miqko Jeftiq.
-Danilo Josifovic, i njohur me nofkën “Prki”, gjithashtu pjesëtar i formacionit ilegal “Mbrojtja Civile”.
-Liljana Aksentijeviq, zëvendësuese e kryetarit të ashtuquajtur “Organ i Përkohshëm” në Zveçan, ka urdhëruar të gjithë punëtorët e komunës ilegale të Zveçanit që në 06:30 të dalin para komunës.
Personat që po i shohim të maskuar në video dhe nëpër fotografi janë të udhëhequr nga ish-kapiteni i Policisë së Kosovës Aleksandër Filipoviq, që shtirej se është i integruar në shtetin tonë. Ky është personi kryesor që po drejton ata. Me 29 maj të këtij viti, ka rrahur një qytetar serb në Leposaviq, pasi që ai ka qenë duke incizuar me telefon.

Personat e maskuar që ishin pjesë e protestës së dhunshme në Zveçan janë:

– Nikolla Adžiq, ka hedhur koktej molotovi në Zveçan, dhe është pjesëtar i organizatës kriminale serbe “Severna Brigada”.
– Milan Zhivkoviq, po ashtu pjesëtar i të njëjtës organizatë.
– Danilo Krivokapiq;
– Jovica Lazoviq;
– Nikola Radomiroviq;
– vëllezërit Stefan dhe Dejan Nedeljkoviq.

Kjo organizatë kriminale, në rrjetet sociale, ka postuar lajm që pjesëtarë të grupit mercenar rus “Wagner” kanë arritur në Kosovë. Po ashtu i njohur për lidhjet e tij me këtë grup paramilitar rus është edhe Damjan Knezheviq, i cili drejton organizatën djathtiste “Patrollat e Popullit-Nardona Patrola”. Edhe ky ka paralajmëruar ardhjen e një grupi prej 50 personave nga Serbia në Kosovë. Damjan Knezheviq, dhe organizata e tij, organizuan protestën e 18 dhjetorit të vitit të kaluar në afërsi të pikës kufitare në Jarinje, me ç’rast u patën identifikuar një numër i konsiderueshëm personash me simbole ekstremiste ruso-serbe.

Persona tjerë të përfshirë në sulm ndaj KFOR-it, se është mirë që edhe vendorët dhe ndërkombëtarët t’i dinë këta emra se nuk i ka sulmuar populli serbë, i ka sulmuar milicia fashiste:

– Vlladimir Radivojeviq, i cili ka njohje të drejtpërdrejtë me presidentin Vuçiq;
– Daniel Gjukiq, bashkë me një grup personash, kanë gjuajtur shok bomba. Këta janë pjesë e grupit të Milan Radoiçiqit, të njohur për ndikim dhe veprimtari kriminale;
– Millosh Gjukiq, vëllau i Danielit. Këta dy vëllezër kanë raporte shoqërore me djalin e presidentit Vuçiq;
– Millan (Jugosllav) Tomiq, i lindur në Obiliq e me banim në komunën veriore të Mitrovicës, ka marrë pjesë në shpimin e gomave të autoblindave të Policisë së Kosovës;
– Millan Joviq, pjesëtar i formacionit ilegal të ashtuquajtur “Mbrojtje Civile”. Me 31 mars, bashkë me një grup ka shkuar për trajnim në përdorimin e armës në Rashkë të Serbisë; më tej:
– Petar Millosheviq;
– Dejan Jevtiq;
– Nikolla Baldini;
– Millan Zhivkoviq;
– Vuk Brankoviq;
– Luka Vlaskoviq;
– Bozhidar Todoroviq, dhe
– Radisha Denoviq.

Fotografia qe mori vëmendjen e rrjeteve sociale ishte ajo e Danijel Shmigiq, i cili ka qenë e mbase edhe tash është shofer dhe truproje i nënkryetarit të Listës Serbe, Igor Simiq. Danijel Shmigiq ka ushtruar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it.

Përveç pjesëtarëve të grupit ekstremist “Severna Brigada” – “Brigada Veriore”, ka qenë prezent edhe tifo-grupi “Delije”, i Cvrena Zvezdës të cilët kanë qenë të përgatitur për sulm ndaj KFOR-it. Ne kemi panumër dëshmi evidencë materiale për këtë gjë.

Pas eskalimit të situatës dhe lëndimit të dhjetëra ushtarëve të KFOR-it janë arrestuar Nebojsha Elezoviq (i cili e ka shoqëruar Goran Rakiqin gjatë udhëtimit të tij në Beograd me datë 23 mars 2022 për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Serbisë), Radosh Mitroviq dhe Zhivojko Milentijeviq. Këta janë arrestuar.

Me 31 maj, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas serbë, Ivan Sekulic dhe Sinisha Jevtic. Ata kanë poseduar materiale të dyshimta përfshirë maska kamuflazhi, emblema me simbole nacionaliste, kartelë të veteranëve të luftës dhe të akademisë për siguri të Serbisë, shufër metalike, disa thika, substanca narkotike, sprej të ndryshëm, sfera metalike, dhe një çekan.

A e kuptoni pra se me çfarë kemi të bëjmë. Me milici fashiste. Dhe, për këtë përballje, Policisë së Kosovës i duhet Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka. Policisë së Kosovës i duhet Kuvendi i Republikës, ju tregoni a e ka. Policisë së Kosovës i nevojitet populli i Kosovës, e ka. Pra, është në dorën tonë kjo fitore e radhës për sundim të ligjit dhe kushtetutshmëri. Policia jonë ka nevojë për mbështetje. Jepjani këtë mbështetje. Jepjani këtë mbështetje Policisë së Republikës e cila është në vijë fronti me milicinë fashiste. Nuk jemi kundër serbëve. I kemi ftuar të kthehen në institucione, ju kemi thënë merrni pjesë në proces demokratik, mirëpo gabimin kardinal të Listës Serbe që i bojkotojë zgjedhjet, që i braktisi institucionet, nuk duhet ta paguajë Republika jonë por Lista Serbe. Ai është vendim politik i tyre, pasojat e të cilëve duhet t’i marrin ata vetë.
Unë ju faleminderit shumë për durimin, vëmendjen dhe mbështetjen.