Plani 8 pikësh për de-përshkallëzimin e situatës në veriun e Kosovës
Bashkësia ndërkombëtare ka përgatitur një plan 8 pikësh për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës, gjegjësisht në komunat e banuara nga pakica serbe, shkruan portali Albanian Post.
Hartues të planit janë vendet e QUINT e Bashkimi Evropian dhe Albanian Post është njohur me këtë dokument.
Në pikën e parë, kërkohet angazhimi i menjëhershëm për interpretimin e Marrëveshjes Bazë mes Kosovës dhe Serbisë, nënshkruar në Ohër, veçanërisht në pikat 1,3,7 dhe 9.
Artikulli 1 kërkon që palët të zhvillojnë raporte normale. Artikulli 3, që të gjitha mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore. Ai 7, që ka të bëjë me krijimin e komunave të vetëmenaxhuara me shumicë serbe në Kosovë si dhe artikulli 9, ku të dy palët dhe donatorë angazhohen për të krijuar paketa financiare për zhvillimin ekonomik.
Pika e dytë, parasheh tërheqjen e Forcave Speciale të Kosovës nga veriu, bashkëngjitur me tërheqjen e Ushtrisë serbe nga kufiri verior i Kosovës.
Në pikën e tretë shkruhet se siguria në territorin e komunave veriore i kalon Policisë së Kosovës, asistuar nga KFOR dhe EULEX.
Pika e katërt parasheh zhbërjen e çdo proteste dhe rikthimin e jetës normale në vend. Punonjësit e komunave duhet të kthehen në pozitat e tyre dhe të ushtrojnë detyrën pranë objekteve sipas parashikimit ligjor.
Në korrik 2023, kryetarët e komunave japin dorëheqje dhe presidentja Vjosa Osmani shpall zgjedhje të reja.
Pika e gjashtë parasheh mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në fund gushti ose fillim shtatori 2023.
Kërkohet ndërkaq sipas pikës shtatë se pikat 3,4,5 dhe 6 të marrëveshjes bazë, do të kenë progres domethënës, duke implementuar edhe artikullin 1 të marrëveshjes.
Në mes nëntori, siç përshkruan pika e 8 dhe e fundit, implementohet me efektivitet artikujt 1,2,3,4 dhe 9 të marrëveshjes.
Nga ana tjetër, përmes një postimi në Twitter, ka qenë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ai i cili ka theksuar se tre aspektet kryesore, janë zgjedhjet e reja, pjesëmarrja e serbëve të Kosovës në to dhe rifillimi i punës për të ngritur asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Në të kundërt, pasoja “shumë serioze” do të ndjekin raportet mes BE-së dhe dy vendeve, në rast mosbashkëpunimi.
Këtë Borrell ia ka bërë me dije presidentes Osmani dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, të cilët kanë zhvilluar për 10 minuta një takim trilateral, me praninë e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministrit gjerman, Olaf Scholz.