KFOR: Prapa protestuesve në veri ishin grupet kriminale serbe
Misioni paqeruajtës i KFOR-it është shprehur se mbrapa protestave në veri të Kosovës, fshihen grupe kriminale. Në daljen e tyre të parë në konferencë për medie pas 15 ditësh protesta, ata kanë bërë të ditur se ushtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetë. Megjithatë, personat e armatosur e që sipas tyre nuk vinë nga popullata e zakonshme, Policia e Kosovës duhet t’i arrestojë, pasi siç kanë thënë ata është përgjegjëse e sundimit të ligjit.
Trupat e KFOR-it do të vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Kosovës, derisa të shtensionohet situata.
Kur janë bërë më shumë se dy javë që nga nisja e protestave të serbëve në tri komunat e veriut, KFOR-i ka bërë të ditur se prapa dhunës që u përdorë ndaj pjesëtarëve të këtij misioni, qëndrojnë grupet kriminale.
Zëdhënësi i shtabit të KFOR-it, Andrea Gallieni, ka thënë se në protestën e 29 majit në Zveçan, u lënduan 30 ushtarë, por që sipas tij, ata janë jashtë rrezikut për jetën.
“Gjatë protestës, shumë ushtarë të KFOR-it u plagosën nga gurët, mjetet shpërthyese të improvizuara dhe armët. Ishte e qartë se ku njerëzit përpiqeshin të manifestoheshin dhe të protestonin në mënyrë paqësore, por ishte gjithashtu e qartë se pas tyre fshiheshin disa grupe kriminale që tentonin të sulmonin trupat e KFOR-it”, tha ai.
Lidhur me arrestimin e dy protestuesve të dhunshëm në Zveçan, ai ka thënë se për sundimin e ligjit është përgjegjës Policia e Kosovës, e jo KFOR-i.
Madje, sipas tij, nëse ka protestues të armatosur është detyrë e policisë që t’i arrestojë.
“Është detyrë primare e policisë së Kosovës, sepse është përgjegjëse për sundim të ligjit, për të ndërmarrë të gjitha veprimet për t’i gjetur këto grupe, dhe nëse ka ndonjë kriminel, të zbatojë ligjin. Por e dimë me siguri se nëse dikush merr pjesë në një protestë me mjete të improvizuara dhe armë, nuk është nga popullata e zakonshme”, shtoi ai.
Pavarësisht, rritjes së pranisë në veri, ai ka thënë se KFOR-i nuk e ka synim që ta marrë kontrollin e veriut.
Ai ka deklaruar se dialogu është rruga e vetme për të tejkaluar situatën e krijuar, duke u bërë thirrje palëve që të mos marrin veprime të njëanshme dhe duke shprehur gatishmërinë e ushtarëve për të reaguar kurdo që paraqitet nevoja.
Ndryshe, më 29 maj, 30 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga përleshja me protestues të dhunshëm serbë që kishin dalë para tri objekteve komunale në veri të vendit në mënyrë që t’i pengojnë kryetarët e rinj për ta ushtruar detyrën e tyre./gazeta10