RajoniTop Lajme

Podgoricë, Rama: Të bëjmë të gjitha përpjekjet që Rajoni mos të kthehet te konflikti! Abazoviç: Të fokusohemi tek e ardhmja

Shpërndaje

Nga Podgorica, Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Dritan Abazoviç kanë shprehur bashkërisht qëllimin për të bashkëpunuar për të shtensionuar situatën në Rajon.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rama tha se me Abazoviç bisedimet u përqendruan te Procesi i Berlinit dhe Samiti i Ardhshëm i NATOS-, teksa theksoi se nevojitet një qëndrim i përbashkët lidhur me shqetësimet në Rajon.

Ai shtoi se duhen bërë të gjitha përpjekjet për të mos lejuar që Rajoni të kthehet mbrapsht te konfliktet.

“Diskutuam për temat që janë edhe arsyeja e kësaj vizite time 2 ditore në kryeqytetet e rajonit, Procesi i Berlinit dhe Samiti i ardhshëm i NATO-s. Për ne është e rëndësishme që në këtë Samit të NATO-s të kemi një qëndrim të përbashkët lidhur me Rajonin dhe me shqetësimet në Rajon, duke qenë të vetëdijshëm që falë Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera, jemi në një fazë tjetër të historisë sonë dhe brezat nuk do na e falin kurrë që të lejojmë pa bërë të gjitha përpjekjet tona që rajoni të kthehej mbrapsht aty ku ka lënguar për shekuj të tërë, te konfliktet të cilat pastaj kanë shkaktuar gjakderdhje të mëdha dhe kanë hapur vija të thella urrejtje mes vendeve. Çdo gjë që ushqen konflikt në Rajonin tonë, për ne është problem dhe ne nuk jemi në asnjë mënyrë të gatshëm të bëhemi pjesë, por për t’ju kundërvënë një situate sherri. Nuk kemi nevojë për heronj të ri në Rajon, por modele të rinj që të frymëzojnë të tërë sesi të jemi më kreativë, të stimulojmë zhvillimin”, tha Rama.

Në fjalën e tij, Abazoviç u ndal po ashtu te situata në Rajon, ku Kosova dhe Serbia nuk e kanë gjetur ende rrugën e dialogut, teksa theksoi se Mali i Zi mbështet çdo iniciativë paqësore për arritjen e një konsensusi. Sipas Abazoviç, Rajoni duhet të jetë i fokusuar tek e ardhmja dhe jo çështjet e së kaluarës.

“Kishim një takim goxha të gjatë, qëllimi është që të investojmë përpjekje me qëllim të deeskalimit të situatës në Rajon. Ne jemi të interesuar për bashkëpunim dhe duam që kjo do të jetë një rrugë që do të marrin dhe fqinjët tanë. Qëllimi është që rajoni të jetë i fokusuar te e ardhmja, jo te e kaluara, jemi lodhur me çështjet e të kaluarës. Sigurisht që ka çështje ende të hapura, por urojmë që të mbyllen sa më shpejt. Ne nuk mbështesim asnjë lloj agresiviteti, çdo gjë që nënkupton që dy palë të ulen të flasin me njëri-tjetrin, që me mënyra demokratike të gjendet zgjidhje, ne absolutisht e mbështesim këtë”, u shpreh Abazoviç.

Më parë Rama vizitoi Shkupin, Prishtinën dhe Sarajevën ku zhvilloi takime të nivelit të lartë.

Në mbrëmje kryeministri Rama do të jetë mysafir i presidentit serb Alekasandër Vuçiç në Beograd.