MaqedoniTop Lajme

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore në Maqedoni nuk ka të ndalur

Shpërndaje

Rritje të çmimeve nga produktet bazë sërish vërejnë qytetarët. Piku i verës, me ardhjen e mërgimtarëve dhe shtimit të kërkesës për blerje, tregtarët kanë lëvizur çmimet për disa denarë në pothuajse 40% të produkteve ushqimore dhe higjienike. Nëpër marketet që vizituam, faturat tregojnë se buka e prerë po shitet 40 denarë, ndonëse më herët ishte 33 denarë. Qumështi tetra-pak ishte 52 denarë tani shitet 55.

Kilogrami i djathit u rrit për 10-12 denarë kurse i kaçkavallit për 19-20 denarë. Po ashtu rritje të çmimit të mishit të freskët të gjedhit është vërejtur këtë muaj për së paku 30 denarë, tregojnë të dhënat e terrenit. Qytetarët thonë se nuk po arrijnë ti ushqejnë familjet e tyre.

“Katastrofë, shpirti jonë e di qysh jena tu mbijetu. Për ardhmërinë tonë është shumë keq. Çdo artikull është shtrenjtuar, përpara me 200 euro e ke mbushur një karrocë, tani 500 nuk të dalin. Nga dy punë jemi duke i punuar dhe sërish nuk ja dalim deri në fund të muajit. Kjo do të thotë se shpejtë do ti ikim prej këtu. DO ta braktisim vendin nga zori”, u shpreh një qytetar.

Nga ana tjetër Lidhja e Sindikatës së Maqedonisë thonë se edhe pse krahasuar me muajin paraardhës ka një rënie të lehtë të vlerës së shportës së konsumit në muajin qershor, sërish kostot e ushqimeve dhe pijeve janë rritur. Statistikat tregojnë se ushqimi është bërë më i shtrenjtë brenda një viti. Buka dhe drithërat shiten me një çmim të rritur prej gati 27%. Qumështi, djathi dhe vezët pothuajse 26%, mishi mbi 25%. Vetëm vajrat dhe yndyrat u bënë më të lira me 5.3%. Por, Oda e furrtarëve arsyetohet kështu.

“Për shkak të prishjes së marrëveshjes ndërkombëtare nga Ukraina nuk do të kemi import të drithit dhe si pasojë çmimi i tij është ngritur rreth 3% në bursën botërore dhe kjo ka reflektuar në tregun e brendshëm. Edhe me tutje ekziston mundësia që të ketë rritje të çmimit të grurit dhe miellit nëse të korrurat sivjet nuk plotësojnë nevojën e konsumit të brendshëm dhe tregu do të jetë i detyruar të importoj nga shtete tjera”, u shprehën nga Oda e furrtarëve të Maqedonisë

Një familje 4 anëtarëshe muajin e kaluar i nevojiteshin 48.543 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale të shportës së konsumatorit. 300 denarë më shumë për ushqim dhe pije nga maji në qershor. Shporta e konsumatorit akoma nuk mund të mbulohet me dy paga minimale.