Murati thotë se Prokuroria Speciale ia hodhi poshtë një kallëzim penal “sepse ishte e përfshirë kasta e vjetër”
Ministri i Financave, Hekuran Murati tregoi se si Prokuroria Speciale e kishte hedhur poshtë sipas tij një kallëzim penal të dorëzuar nga ai në lidhje me keqpërdorimet në shpreonësimet për rrugën Kijevë-Zahaq.
Murati tregoi se e kishte anuluar vendimin që sipas tij, parashihte shpronësimin e pronave të vlerësuara në fund pesëfish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë.
Sipas ministrit, “një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur”.
Prokuroria, siç thotë Murati, e hodhi poshtë kallëzimin penal me arsyetimin se “me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje”.
“Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi”, shkroi Murati.
Ministri për këtë reagim duket se ka marrë shkas prej arrestimit të dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë dhe një biznesmeni të afërt me Vetëvendosjen, të cilët akuzohen për dallavere me rezervat e shtetit.
Postimi i plotë i Hekuran Muratit:
Këtë muaj bëhen 2 vite prejse pata dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.
Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se:Vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro.
Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë.
Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhepse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019.
Dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro. Pra rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj.
Për më tepër, rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar.
Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale.
Një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave, dhe kush i kishte porositur.
Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale?
E hedh poshtë kallëzimin penal.
Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi.
Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër.
Se kush ka qenë prokurori i ngarkuar me këtë rast, besoj e keni shumë të lehtë t’ia qëlloni.