Mitrovica e Veriut anëtarësohet në Asociacionin e Komunave të Kosovës
Komuna e Mitrovicës së Veriut të martën e 22 gushtit është pranuar në Asociacionin e Komunave të Kosovës me votim unanim.
Kuvendi Komunal i Mitrovicës së veriut më 30 qershor ka votuar për bashkim në Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Në këtë komunë dhe në tri komunat e tjera pritet të ketë zgjedhje të parakohshme, kërkesë kjo e cila erdhi nga faktori ndërkombëtar për shtensionimin e situatës Kosovë-Serbi e cila u tensionua nga fundi i majit pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 maj, ndodhi një përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë u përkeqësua më shumë edhe më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët u liruan pas 13 ditëve nga Serbia.
Serbia pretendonte se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova kishte bërë të ditur se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq. Të njëjtit u liruan më vonë.
Nga BE-ja kanë kërkuar që zgjedhjet në komunat në veri të Kosovës të shpallen “sa më shpejt”.