RajoniTop Lajme

Shqipëri–SHBA nënvizojnë marrëdhëniet mes dy vendeve, Rama takon diplomatin Wisner

Shpërndaje

Shqipëria dhe SHBA-ja pohojnë sërish lidhjet e forta mes dy vendeve. Kjo është nënvizuar edhe gjatë një takimi që i ngarkuari i SHBA-së me punë në Shqipëri, David Wisner, zhvilloi të mërkurën me kryeministrin Edi Rama.

Takimi është bërë publik nga ana e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila ka dhënë edhe disa detaje të tjera lidhur me temat e diskutuara në këtë takim, si bashkëpunimi në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, mikpritja e afganëve etj.

“I Ngarkuari me Punë David Wisner u takua sot me Kryeministrin Edi Rama për të pohuar sërish lidhjen e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ata diskutuan partneritetin e ngushtë të vendeve tona në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, veçanërisht për Ukrainën, si dhe rëndësinë e mbështetjes së rinisë shqiptare. Wisner falënderoi gjithashtu kryeministrin për mikpritjen e jashtëzakonshme që Shqipëria ka treguar ndaj afganëve,” thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës amerikane në Tiranë.

Një ditë më parë edhe presidenti, priti të dërguardin amerikan në Tiranë.

Në fjalën e tij, Begaj vuri theksin te roli kyç i SHBA-së për konsolidimin e demokracisë në vendin tonë, ndërsa rikonfirmoi më tej angazhimin e Shqipërisë ndaj partneritetit strategjik me SHBA-në.

Kreu i shtetit shqiptar e konsideroi thelbësore mbështetjen e SHBA-së për rritjen e efikasitetit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin tonë.