Në UT, sot përfundoi afati i parë i aplikimit, nesër mbahen provimet pranuese në disa programe studimore
Është përmbyllur sot aplikimi për t’u regjistruar në programet studimore të fakulteteve të Universitetit të Tetovës. Ky afat, që filloi më 28 gusht 2023 dhe u zhvillua deri më sot, është shfrytëzuar nga maturantët e vendit, nga Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë dhe rajoni, që të zgjedhin profilin e tyre të studimeve.
Zyra për Arsim e Universitetit të Tetovës, duke iu referuar aplikimeve në 13 njësitë akademike, informon se numri i kandidatëve është i kënaqshëm dhe i njëjti ka shënuar rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin e kaluar akademik.
Gjithashtu, nga kjo zyrë i njoftojnë kandidatët se, nesër më 2 shtator 2023 (e shtunë), me fillim në orën 11:00 do të mbahen provimet pranuese në programet studimore të parashikuara në konkursin për regjistrimin e studentëve për vitin akademik 2023/24. Kandidatët duhet t’u përmbahen rregullave dhe udhëzimeve, të cilat i kanë marrë nga shërbimet e administratës në momentin që kanë bërë aplikim për regjistrim.
Rezultatet e para preliminare do të bëhen publike më 4 shtator, kurse ato përfundimtaret më 5 shtator 2023.
Zyra për informim