Shitet pasuri vetëm 244 mijë euro e Mijallkovit, mbeten edhe 14 milionë euro?
Pasuria e ish-shefit të shërbimit sekret të Maqedonisë DSK, Sasho Mijallkov llogaritet disamilionëshe. Janë prona të paluajtshme, aksione bankare, hotele, biznese tjera por në qarqet politike ka patur zëra me dyshime edhe për prona tjera të padeklaruara.
Më shumë se një vit pasi u shpall fajtor ish-drejtori i policisë sekrete maqedonase llogaritet të ketë pasuri prej mbi 14 milionë eurosh, e cila iu konfiskua dhe që mbetet për t’u shitur.
Agjencioni për Administrim me Pronën e Konfiskuar dje njoftoi se realizoi me sukses shitjen e gjithsej 3 pasurive të paluajtshme të sekuestruara të Mijallkovit. Ato u shitën për 244 mijë euro përmes ankandit publik, përcjell INA.
Sipas Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar pasuria e konfiskuar e Sasho Mijallkovit gradualisht do të shpallet në ankand publik elektronik, të cilin Agjencia do ta përgatisë në përputhje me ligjin dhe me pëlqimin e Qeverisë. Po sipas kësaj, agjencie, vlera e pasurisë së sekuestruar të Sasho Mijalkovit është 14.144.000 euro.
Në shitje duhet të dalin mbi 30 pasuri të paluajtshme të evidentuar në Agjencinë e Kadastrës. Sipas të dhënave të Kadastrës, vetëm në dy ndërtesa banimi, Mijallkov ka pasur 25 apartamente, garazhe dhe objekte afariste në vlerë prej 8 milionë eurosh.
Ajo që i ka mbetur tani në dispozicion Mijallkovit, është një shtëpi prej disa miliona eurosh, një pjesë e hotelin “Merriot” në sheshin qendror të Shkupit, si dhe aksione në disa kompani vendore.
Mijallkov në korrik të vitit 2022 u dënua me tre vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, që ka të bëjë me akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo larje të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).
Ish-shefi i policisë sekrete, përveç në rastin “Perandoria”, është dënuar edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale.
Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”.
Ai është dënuar me tre vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.
Por, disa vendime të shkallës së parë janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe janë kthyer në rigjykim, ndërsa për dy vepra tjera ai mund të lirohet nga vuajtja e dënimit për shkak të mundësisë së vjetërsimit të lëndëve. Ai vitin e kaluar u përfshi në listën e zezë amerikane të sanksioneve. (INA)