Erdoğan: Sulmi ndaj spitalit e ka çuar ‘masakrën në Gaza’ në një nivel tjetër
Sulmi vdekjeprurës izraelit në spitalin Al-Ahli në Rripin e Gazës të martën e ka çuar “masakrën në Gaza” në një nivel tjetër, tha sot presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu.
“Dje, masakra në Gaza u çua në një dimension tjetër me sulmin e neveritshëm në spitalin Al-Ahli Arabi. Unë dënoj autorët e këtij sulmi, i cili përbën një krim kundër njerëzimit dhe përbën gjenocid ndaj popullit të Gazës”, shkroi Erdoğan në rrjetin social “X”.
“Ata që i kanë hedhur benzinë zjarrit me deklaratat që kanë bërë që nga 7 tetori janë po aq përgjegjës sa edhe autorët e masakrës së djeshme që na i theu zemrat”, tha Erdoğan.
Türkiye do të vazhdojë të punojë për të vendosur fillimisht një armëpushim humanitar dhe më pas stabilitet të përhershëm, shtoi ai.
Të paktën 471 njerëz u vranë dhe 342 të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit në Spitalin Baptist Al-Ahli në Gaza të martën vonë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza. Izraeli, megjithatë, ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ajror.
Gaza tashmë po përjeton një krizë të rëndë humanitare pa energji elektrike, ndërsa uji, ushqimi, karburantet dhe furnizimet mjekësore po mbarojnë.
Konflikti në rajon filloi më 7 tetor kur Hamasi filloi operacionin “Tufani i Aksasë”, një sulm i befasishëm me shumë drejtime që përfshinte një breshëri raketash dhe infiltrimesh në Izrael nga toka, deti dhe ajri. Hamasi ka thënë se inkursioni ishte në hakmarrje për bastisjet në Xhaminë Al-Aksa dhe dhunën në rritje të kolonëve izraelitë.
Ushtria izraelite më pas nisi operacionin “Shpatat e Hekurta” në Rripin e Gazës.
Shefi i OKB-së Antonio Guterres ka bërë thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm humanitar” për të lehtësuar “vuajtjet epike njerëzore”.
Të paktën 3.478 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza, ndërsa shifra qëndron në më shumë se 1.400 njerëz në Izrael.