RajoniTop Lajme

Kurti, thirrje qytetarëve që të investojnë në energjinë e ripërtëritshme

Shpërndaje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe atyre në diasporë, që të investojnë në energjinë e ripërtëritshme në Kosovë. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook, thotë se ankandi i parë për Energji të Ripërtëritshme Solare me kapacitet 100 MW vazhdon të jetë i hapur deri në janar 2024.

Ai thotë se e kanë në prioritet, modernizimin dhe përmirësimin e kapaciteteve në sektorin e energjisë.

“Synimi ynë është zhvillimi i burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Oferta jonë për investitorë të interesuar është një proces i drejtë dhe transparent, me kritere tërheqëse investuese që përfshijnë: Qira 30 vjeçare të tokës publike e përshtatshme me rrezatim diellor të lartë dhe infrastrukturë rrugore afër; Marrëveshje për blerje të energjisë për 15 vjet, dhe; Lidhje të siguruar në rrjetin e transmisionit që është vetëm 350 metra larg”, shkruan Kurti.

Sipas kryeministrit, kjo është një mundësi e shkëlqyer edhe për mërgatën kosovare, që të (bashkë)investojë në një projekt të sigurt e të përgatitur mirë e me kujdes. “Investoni në Kosovë. Investoni tani”, shkruan Kurti.