MaqedoniTop Lajme

Raporti i KE-së, Geer përsërit kritikat para deputetëve: Flamuri i BE-së është keqpërdorur shumë herë

Shpërndaje

Euroambasadori Dejvid Gir, “qortoi” deputetët për polarizimin politik në Kuvend, bllokimin e reformave dhe ligjeve të rëndësishme për integrimin si dhe për keqpërdorimin e flamurit të BE-së. Raporti i Komisionit Evropian për progresin e vendit drejt anëtarësimit në BE u shqyrtua dhe u komentua në Kuvend nga deputetët.

“Procedurat me Flamur të BE-së duhet të përdoren vetëm kur lidhen direkt me adaptimin e ligjeve qëllimi kryesor i të cilëve është harmonizimi me ligjet dhe standardet e BE-së dhe jo për të shkurtuar debatin për çështje të rëndësishme ose të kompensohet vështirësia e procedurave të qeverisë ose parlamentit. Raporti specifikisht thekson keqpërdorimin e flamurit të BE-së gjatë ndryshimit të Kodit penal dhe ligjeve që lidhen me Korridoret 8 dhe 10D”, tha Dejvid Gir, ambasador i BE-së.

Gir gjithashtu përsëriti kritikat e BE-së për besimin e ulët në gjyqësor, ndikimet politike tek gjykatësit shkarkimin kontrovers të kryetares së Këshillit gjyqësor. BE-ja është e shqetësuar për korrupsionin, tha ai.

“Nuk ka pasur progres në luftën kundër korrupsionit. Siç e dimë të gjithë, korrupsioni ka pushtuar shumë fusha dhe mbetet çështje shqetësuese. Vonesat dhe rigjykimet të rasteve gjyqësore të korrupsionit të lartë janë rritur duke rezultuar në vjetërsimin e parashkrimit. Një shqetësim serioz për komisionin janë ndryshimet në Kodin penal që reduktuan dënimet maksimale për disa raste të korrupsionit serioz…”, u shpreh Dejvid Gir, ambasador i BE-së.

Zv.kryeministri Bojan Mariçiq tha se opozita duhet të mos bllokojë procedurat e rëndësishme për reformat dhe të votojë ndryshimet kushtetuese.

“Ne objektivisht e shikojmë dhe veçmë kemi folur edhe për problemin për funksionimin e Këshillit gjyqësor dhe prandaj kërkuam edhe mision vlerësuar nga BE-ja, që tashmë e zbaton dhe duhet të japë rekomandime konkrete se si të rregullohet puna e këtij trupi. Kërkohet edhe nga ata parti politike dhe deputetë të cilët punojnë për bllokimin aktiv të Kuvendit, atë bllokim ta ndërpresin”, tha Bojan Mariçiq, zv/kryeministër për çështje evropiane.

Edhe BDI-ja për thirrje për zhbllokim të procesit të integrimit.

“Pas kaq shumë vitesh në dhomën evropiane të pritjes, në momentin kur procesi i zgjerimit të BE-së ka jehonë pozitive dhe realisht po përshpejtohet për shkak të rrethanave gjeopolitike mendoj se duhet të përpiqemi të mos krijojmë ngecje në procesin tonë të anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Arbër Ademi, BDI

Maqedonia ka marrë raportin më të keq që kur KE-ja bën vlerësimin e punës së saj drejt eurointegrimit, vlerëson VMRO-DPMNE-ja. Thonë se vendi rrezikon të mos mund të përfitojë fonde nga plani i BE-së për rritje.

“Raporti i këtillë është i rrezikshëm pikërisht për mundësinë që të shfrytëzohen mjete nga ky plan për rritje sepse reformat në gjyqësor dhe në të drejtat themelore janë kusht për shfrytëzimin e mjeteve nga plani për rritje. Të jem më i qartë, nuk do të ketë qasje për asnjë vend anëtar dhe për asnjë vend kandidat nga plani për rritje nëse nuk kemi reforma në gjyqësor dhe në sundimin e ligjit. Kur jemi te Këshilli gjyqësor republikan ne shohim se ky institucion tashmë disa vite në vend që të jetë institucion që do të shkëlqejë me imazhin dhe reputacionin në gjyqësor, është bërë trup dhe nënçmim për gjyqësorin”, theksoi Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Sipas opozitës shqiptare, politika duhet të marrë përgjegjësinë për kritikat e BE-së për sundimin e ligjit.

“Me ardhjen e propozim-ligjit për ndryshimin e Kodit penal dhe miratimit të tij në një periudhë eksprese dhe rekorde ku si implikim i saj çdo ditë kemi vjetërsim e veprave për korrupsion të lartë të përfaqësuesve të institucioneve, aty edhe qeveria, edhe institucionet, por edhe parlamenti, pa e përjashtuar edhe vetveten merr përgjegjësinë për mosfunksionimin e sundimit të ligjit apo vendosjen e standardit të mosndëshkueshmërisë”, u shpreh Kastriot Rexhepi, Koalicioni Lidhje Evropiane për Ndryshim.

Raporti i KE-së u publikua javën e kaluar dhe që atëherë ka ngjallur kritika nga opozita për të gjitha fushat ku BE-ja kishte evidentuar se nuk ka aspak progres. /Alsat.mk