Maqedoni

Lëvizja Besa reagon ndaj deklaratës së Angelovit për kryqin

Shpërndaje

Lëvizja Besa ka reaguar pas deklaratave të Stojançe Angelovit, drejtorit të Qendrës për menaxhim me kriza lidhur me kryqin e vendosur në Kodrën e Diellit në Tetovë.

Reagimi i plotë:
Sjellja e një funksionari si Stojançe Angelov edhe një herë konfirmon se vendosja e Kryqit në Kodrën e Diellit nuk është për nder të besimit, por kryekëput për provokim politik. Vetëm të dështuarit dhe humbësit politik mund të përpiqen të fitojnë pikë duke shkaktuar tensione etnike mbi baza fetare. Kjo është në dëm të besimtarëve ortodoksë që dikush dëshiron t’i bëjë vegël për një agjendë politike. BDI është në Qeverinë që emëroi Stojançe Angelovin për drejtor të Qendrës për menaxhim me kriza.

BDI ka një drejtor në Inspektoratin Shtetëror të Ndërtimit, i cili ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë për rrënimin. BDI-ja ka interes të mos flasë për bizneset e tyre të errëta me Daka Davidoviçin në Tetovë, për krimet me lojërat e fatit, për skandalet korruptive me prokurimet publike. BDI-së i duhet Kryqi për të hequr fokusin nga çështjet reale. Fatkeqësisht, LSDM dhe VMRO-DPMNE ranë në karremin e tyre. Shfrytëzojmë rastin të apelojmë edhe një herë që të mos luajnë me zjarrin. Ne nuk do të tolerojmë autokracinë. Kërcënimet nuk na trembin. Ne do të veprojmë sipas ligjit!