Hamasi ia dorëzoi Kryqit të Kuq 13 pengje izraelite
Izraeli konfirmoi se Hamasi ia dorëzoi Kryqit të Kuq 13 pengje izraelite në Gaza, të cilët u dërguan në anën egjiptiane të kufirit, transmeton Anadolu.
“Pengjet izraelite janë në duart e Kryqit të Kuq”, tha Korporata Publike Izraelite e Transmetimeve.
Pengjet izraelite do të transferohen me helikopterë nga Egjipti në Izrael.
Në lidhje me ngjarjen, u prononcuan edhe nga Zyra e Kryeministrit izraelit.
“Gjatë operacionit, kryeministri Benjamin Netanyahu dhe ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant do të jenë në qendrën e kontrollit të Degës së Operacioneve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Tel Aviv”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se “kryeministri dhe ministri i Mbrojtjes do të monitorojnë nga afër menaxhimin e operacionit për të kthyer në vend izraelitët që janë liruar nga robëria e Hamasit”.
Kanali satelitor Al-Aqsa, i lidhur me Hamasin, konfirmoi gjithashtu dorëzimin e pengjeve izraelite në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Ndërkohë, kryeministri i Tajlandës Srettha Thavisin konfirmoi se 12 shtetas tajlandezë janë liruar gjithashtu nga Hamasi.
“Zyrtarët e ambasadës janë rrugës për t’i marrë ata brenda një ore,” tha Thavisin në rrjetin social X.
Sipas marrëveshjes Izrael-Hamas, të burgosurit do të lirohen në grupe për një periudhë prej 4 ditësh.
Izraeli vlerëson se të paktën 239 izraelitë mbahen nga Hamasi pas sulmit ndërkufitar nga grupi palestinez më 7 tetor.
Numri i palestinezëve të vdekur nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës është rritur në 14.854, tha dje Zyra e Qeverisë për media në enklavën e bllokuar.
Në mesin e të vrarëve janë 6.150 fëmijë dhe mbi 4 mijë gra, ndërsa më shumë se 36 mijë njerëz janë plagosur.
Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1200.