BotaTop Lajme

“KS-OKB deri më tani nuk ka arritur të ndalojë dhunën në Gaza”

Shpërndaje

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Filippo Grandi, tha se në Rripin e Gazës po përjetohet një fatkeqësi e madhe dhe sipas tij Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) deri më tani nuk ka arritur të ndalojë dhunën, transmeton Anadolu.

Në Gjenevë filloi “Forumi Global i Refugjatëve 2023”, i cili zhvillohet nën organizimin nga Komisionieri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) dhe Zvicra.

Në hapjen e forumit krahas Grandit morën pjesë edhe kryetarja e Sekretariatit Shtetëror të Zvicrës për Migracionin, Christine Schraner Burgener, zv.ministri i Jashtëm turk, Yasin Ekrem Serim, zyrtarë të OKB-së dhe pjesëmarrës të nivelit të lartë nga shumë vende.

Në fjalimin e mbajtur në hapje të forumit, Grandi bëri thirrje për “armëpushim urgjent dhe të përhershëm” për Gazën dhe tha se “Në Rripin e Gazës po përjetohet një fatkeqësi e madhe. KS-OKB deri më tani nuk ka arritur të ndalojë dhunën”.

Grandi më tej theksoi se 114 milionë njerëz në mbarë botën janë zhvendosur për shkak të persekutimit, shkeljeve të të drejtave të njeriut, dhunës, konflikteve të armatosura dhe trazirave serioze shoqërore dhe se kjo shifër përfaqëson numrin e personave të zhvendosur dhe refugjatëve.