RajoniTop Lajme

Spanja s’tregon arsyen pse ndërroi qëndrim për njohjen e pasaportës së Kosovës

Shpërndaje

Tashmë edhe zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka konfirmuar se pasaporta kosovare do të njihet dhe pranohet nga shteti spanjoll, në një përgjigje për gazetën prestigjioze “El Pais”; ndonëse në pyetjen se “pse?” kanë ndryshuar këtë qëndrim, autoritetet spanjolle nuk kanë dhënë shpjegim.

“El Pais” e citon së pari zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, teksa thotë se njohja e pasaportës së Kosovës është konfirmuar në një përgjigje me shkrim për ta.

Mes tjerash, gazeta spanjolle rikujton deklarimin – jo shumë kohë më parë – të Ministrit të Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares i cili shprehej se duke qenë se “Spanja ka një politikë mosnjohëse ndaj Kosovës” kjo edhe nënkupton rrjedhimisht “mosnjohje të pasaportave të Kosovës…mosnjohje që e kemi mbajtur vazhdimisht”.

“Pyetur nga EL PAIS, Ministria e Punëve të Jashtme spanjolle ka konfirmuar pranimin e pasaportës së Kosovës në doganat spanjolle, edhe pse nuk shpjeguan arsyet që kanë çuar në këtë ndryshim, i cili përfshin modifikimin e rregulloreve për dokumentacionin”, shkruan gazeta spanjolle.

“Qeveria spanjolle vitet e fundit e ka kushtëzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës me një marrëveshje me Serbinë, por ka siguruar se kjo nuk do të pengojë afrimin e Qeverisë së Prishtinës me Bashkimin Evropian”.

“Kështu, Qeveria spanjolle ka pranuar pjesëmarrjen e autoriteteve të Kosovës në samitet e BE-së me Ballkanin Perëndimor, por duke përjashtuar flamujt dhe shenjat dalluese të shtetit të Kosovës. I fundit nga këto samite u mbajt më 13 dhjetor në Bruksel, nën Presidencën spanjolle të Unionit Evropian”, vijon artikulli, transmeton Nacionale.

Kujtojmë se deklarimet shtetërore spanjolle ishin që edhe pas liberalizimit të vizave Spanja do të vazhdonte me mosnjohjen e pasaportave kosovare, për shkak se, siç thoshin ata, Kosova për ta “është vetëm një territor me të cilin BE-ja ka marrëdhënie” dhe se do të qëndronin në linjën e tyre të kahershme mohuese dhe mosnjohëse.

Njohja e pasaportës

Qytetarët e Kosovës nga dje e morën vesh se tash e tutje mund të udhëtojnë lirshëm edhe në Spanjë, pasi që ky shtet tashmë e ka njohur pasaportën e Kosovës, edhe pse nuk e ka njohur pavarësinë e shtetit.

Për njohjen e pasaportës së Kosovës nga ana e Spanjës shkroi dje me entuziazëm zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi. Bislimi përmes një postimi në Facebook, njoftoi se kosovarët mund të udhëtojnë drejt Spanjës pa viza.

Tutje, ai shkroi se Spanja i njeh pasaportat tashmë të Kosovës, duke shkruar se “lajmet e mira vazhdojnë”.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti”, shkroi ai.

Për këtë rast ka reaguar edhe Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës. Ai ka shkruar një status, në të cilin ka bërë bilancin e javës së parë të vitit 2024.

Ai ka renditur liberalizimin e vizave e pranimi i targave RKS nga ana e Serbisë si të arritura të javës së parë, duke shtuar edhe njohjen e pasaportës nga ana e Spanjës.

“Bilanci i javës së parë të janarit 2024: Udhëtimi me pasaportë të Kosovës në zonën shengen pa viza. Lëvizja e lirë drejt Serbisë me targa RKS pa stikersa. Fillimi i nominimit të energjisë në katër komunat në veri. Kështu pas më shumë se dy dekadave, edhe në katër komunat veriore të vendit tonë, do paguhet rryma njëjtë si në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Spanja e njeh pasaportën e Kosovës”, shkroi ai.