Maqedoni

Nënshkruhet deklarata për bashkëpunim e partive opozitare në RMV

Shpërndaje

Deklarata për bashkimin e opozitar shqiptar u nënshkrua sot, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt unitetit të partive politike në Maqedoninë e Veriut. Nënshkrimet e kësaj deklarate u bënë nga liderët e Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, si dhe nga përfaqësuesit e partive opozitare të bashkuar në koalicionin “Bashkimi Evropian për Ndryshim” (LEN), si Izet Mexhiti nga Lëvizja Demokratike, Afrim Gashi nga Alternativa, Bilal Kasami i Lëvizjes Besa dhe Bekim Qoku.

Në deklaratë, theksohet se ky bashkimi po hedh themelet e një epoke të re mes partive shqiptare në vend, duke shfaqur një unitet të përbashkët për të përballuar sfidat dhe për të ndërtuar një vizion të përbashkët për të ardhmen e shqipëtarëve në vend.

Gjithashtu, u bë e ditur se kandidati i katër partive për zgjedhjet presidenciale do të jetë Arben Taravari, duke e bërë këtë deklaratë edhe një hap më shumë drejt bashkimit të opozitës në Maqedoninë e Veriut dhe ndryshimeve të mundshme politike në të ardhmen.

Kreu i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti ka kërkuar përkrahje nga të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut për kandidaturën e Arben Taravarit për president. Mexhiti thotë se ka gjasa reale që Taravari të kalojë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

“Me 24 prill, ne do të dëshmojmë dhe demonstrojmë që ky shtet ka 2 shumica dhe dhjetëra pakica, dhe ne si shumicë e dytë kemi kapacitet intelektual, njerëzor që të garojmë për president të këtij shteti, me z.Taravarin dhe këtu i ftojmë të gjitha subjektet tjera politike shqiptare që të mbështesin këtë kandidaturë sepse ka gjasa më reale të futet si përfaqësues i shumicës së dytë i shqiptarëve në RMV, pra në garën reale në rrethin e dytë për president të RMV-së”, theksoi Mexhiti.