Maqedoni

“Nëse ndokush ka menduar se unë jam kukull në parti, ka gabuar” – thotë Taravari

Shpërndaje

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në ClickPlus në TV21 në disa raste ka potencuar se si lider i partisë ka të drejtë të shpreh mendimin e tij – shkuarja në koalicion me opozitën dhe se për këtë duhej të thirrej Kuvendi dhe të vendos se a pajtohen ose jo me mendimin e tij.

Taravari duke numëruar hapat që i ndërmori kuvendi i ASH-së, ndaj tij pasi ai shprehu mendimin, tha se ai është lider partie dhe nuk është kukull.

“Kryetari ka të drejtë ta thotë këtë. E dyta – duhej të thirrej Kuvendi dhe të sillnin vendim – e përkrahin ose jo vendimin e kryetarit? Mund mos ta përkrahin dhe unë e kam thënë, nëse nuk e përkrah shumica e Kuvendit, unë nuk kam problem. Dhe e treta – imagjinoni – kërkojnë shkarkimin tim sepse unë e kam shprehur mendimin tim si kryetar partie. Nëse ideja ka qenë që Arben Taravari të jetë kukull në parti dhe dikush pronar…? Unë s’mund ta pranoj këtë! Kjo është bindja ime…”, tha Taravari.

Inervisita e plotë:

“Çfarëdo që kërkoja, qoftë president apo kryeministër i parë shqiptar do ta pranonte BDI-ja – por unë e dëgjova zërin e qytetarit” – thotë Taravari

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në ClickPlus në TV21 ka zbuluar se gjatë negociatave me BDI-në, partia e integristëve ka qenë në gjendje t’ia pranojë çdo kërkesë të tij, përfshirë këtu edhe presidentin dhe kryeministrin e parë shqiptar.

“Unë më lehtë e kam pasur të shkoj me pozitën, me BDI-në sepse kemi pasur kemi pasur negociata dhe e kam thënë publikisht. Edhe me zotëri Ahmetin edhe me partitë opozitare. Personalisht e kisha shumë më lehtë. Çfarëdo që kërkoja, edhe kandidat për president ose edhe kryeministër i parë shqiptar, nëse do ta bëja atë kërkesë, do të realizohej. Edhe bartës liste ku të doja… Por nuk është kjo punë personale. Kjo është punë e vijës, trajektores historike e Aleancës për Shqiptarët. Ne nëse do të vendosim të shkonim me BDI-në, do të mund ta bindim edhe anëtarësinë, por unë ia dhashë shansin zërit të qytetarit, zërin e simpatizantit tonë se Aleanca nuk guxon ta bëjë atë që e bëri Besa në 2016-n dhe 2020-të. Ky është realiteti. Nuk mund t’i ikim dhe për herë të parë të gjitha partitë opozitare të bashkohen në një front”, tha Taravari.

Taravari: Mund të kisha zgjedhur rrugën më të thjeshtë duke nxjerrë disa deputetë, por do ishim shkëputur nga votuesit

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, i ftuar sonte në emisionin ClickPlus tha se ai mund të kishte zgjedhur edhe rrugën më të thjeshtë, duke siguruar disa deputetë në Kuvend, por ai u shpreh se në këtë mënyrë do të humbnin edhe më tej mbështetjen e votuesve. Taravari tha se me rrugën që ai ndërmori po sheh një kthim të njerëzve te Aleanca për Shqiptarët dhe nuk dëshiron ta humbasë këtë përkrahje që po merr.

“Nëse duhej të zgjidhja interesin tim, ideale do të ishte të vendosim në pozicione disa njerëz, t’i bëjmë deputet, por do të shkëputeshim prej votuesve, prej simpatizantëve, do të shkëputeshim prej atyre që kanë besuar vërtetë prej 10 vjetësh. Kauza kryesore e ASH-së ka qenë ndryshimi. Unë zgjodha rrugën që është shumë më e vështirë, por shoh se po marrim përkrahje dhe po na kthehet anëtarësia. Po na bashkëngjiten njerëz që kurrë nuk janë marrë me politikë, sepse besojnë se mund të sjellim ndryshimin te shqiptarët.”- tha Taravari.