Raportuesit e OKB-së: Izraeli duhet të zbatojë “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza
Gjenevë
Raportuesit e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftuan se Izraeli duhet të zbatojë armëpushim të menjëhershëm dhe të parandalojë humbjet e civilëve në Gaza, transmeton Anadolu.
Raportuesit e OKB-së kanë bërë një deklaratë me shkrim lidhur me Gazën që ndodhet nën sulmet intensive dhe bllokadën e Izraelit.
Në deklaratë theksohet se Izraeli duhet të zbatojë menjëherë një armëpushim dhe masa konkrete që u japin përparësi nevojave të grave dhe fëmijëve palestinezë në përputhje me vendimin e datës 26 janar të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).
“Ekziston nevoja për të trajtuar në mënyrë urgjente dhunën me bazë gjinore me të cilën përballen gratë dhe vajzat në Gaza dhe Bregun Perëndimor si dhe ndërprerjen pothuajse totale të arsimit në Gaza, shkatërrimin në shkallë të gjerë të banesave, problemet me qasjen në shërbimet e shëndetit riprodhues dhe në rritjen e arrestimeve arbitrare dhe rrezikun e dhunës”, thuhet në deklaratë.
“Ne jemi të shqetësuar përballë raporteve që trajtimi mjekësor dhe qasja për produktet bazë janë jashtëzakonisht të kufizuara në spitale, që fëmijët e plagosur u nënshtrohen amputimeve pa anestezi dhe që ndaj grave po kryhet proces cezarian. Duke marrë parasysh situatën kritike humanitare, është e nevojshme që forcat izraelite të ndalojnë menjëherë të gjitha sulmet dhe bastisjet në spitalet në Gaza”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu bëhet e ditur se së bashku me armëpushimin në Gaza duhet të merren të gjitha masat për parandalimin e humbjeve civile dhe të zhvendosjeve dhe se duhet të ngrihet një spital fushor në afërsi të pikës kufitare Rafah dhe jashtë Gazës.
Thirrje për mbrojtjen e grave dhe vajzave
Në deklaratën ku vihet në dukje rëndësia e lehtësimit të shpërndarjes së ushqimit, ujit të pijshëm, ilaçeve, karburanteve dhe materialeve të tjera ndihmëse që janë kritike për mbijetesën e grave dhe vajzave, nënvizohet se nuk duhet të injorohet edhe kujdesi shëndetësor dhe mbështetja psikosociale.
Komplekset arsimore në Gaza tashmë nuk duhet të përdoren më si strehë, theksohet në deklaratën në të cilën bëhet thirrje për ndërtimin e strehimoreve dhe shkollave shtesë në mënyrë që vajzat të mund të vazhdojnë shkollimin e tyre.
“Për gratë dhe vajzat që kanë mbijetuar ose janë përballë me rrezikun e dhunës me bazë gjinore në Gaza dhe Bregun Perëndimor duhet të sigurohen hapësira të sigurta dhe t’u jepet kompensim lufte. Duhet të sigurohet që të japin llogari ata që kryejnë dhunë kundër tyre, përfshirë zyrtarët dhe kolonët izraelitë”, nënvizohet më tej në deklaratë.
Këto masa që propozohen në deklaratë thuhet se përfshijnë hapat e nevojshëm për të parandaluar që Izraeli të shkaktojë më shumë dëme kundër grave dhe fëmijëve palestinezë ashtu sikurse e kërkon edhe ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe përgjegjësitë e tjera ndërkombëtare.