Punonjësit shëndetësorë kërcënojnë me grevë
Protestë në kohë pauze, mbyllje të objekteve të kujdesit shëndetësorë për disa orë gjatë ditës ose grevë të përgjithshme. Njërën prej këtyre varianteve do të zgjedhin punonjësit shëndetësorë nëse nuk ka rritje linearë të pagave për të gjithë apo harmonizim të pagave të tyre me pagën minimale. Koordinatori nacional për shëndetësi, Bobi Bojçevski paralajmëroi takime koordinative për javët në vijim, ku edhe do të vendoset se cilin opcion të protestës do të zgjedhin.
“Nga njëra anë kemi deklaratë nga ministri se nuk do të ketë rritje, nga ana tjetër, nga zëvendësministri, që punojnë në të njejtën ministri, kanë zyrat ballë përballë, thotë se do të ketë rritje lineare për të gjithë punonjësit në sektorin shëndetësor. Rritje prej higjienistit deri te mjeku. Nëse nuk ka rritje lineare, siç tha vetë zëvendësministrja, ne me trupin koordinativ kemi tre opcione, protestë në pauzë, mbyllje të klinikave dhe grevë të përgjithshme”, tha Bobi Bojçevski, Koordinator Nacional për Shëndetësi.
Përveç rritjes së pagave, sindikalistët kërkojnë edhe rregullim të statusit të punonjësve me kontrata në vepër.
“Qëndrimi ynë është i qartë, në emrin e të gjithë punonjësve me marrëveshje në vepër, apel te institucionet dhe qeveria, statusi ynë i punës të zgjidhet, sepse ne nuk kërkojmë asgjë më shumë përveç të drejtën e jetës dhe ekzistencës, në shtetin e njejtë si çdo njeri normal në shtet. Të mundemi ta planifikojmë familjen dhe ta fillojmë këtu dhe jo në mërgim”, shtoi Tomas Todorov, i punësuar me kontratë në vepër.
Sindikalistët thonë se ky problem është i pranishëm një kohë më të gjatë dhe ka punonjës që punojnë deri në 13 vite dhe nuk e kanë të rregulluar statusin.