BQK jep detaje nga takimi në Bruksel ku u diskutua për dinarin
Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët mes ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e emisarit evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme, transmeton Telegrafi.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga BQK.
Më tej, në njoftim thuhet se “BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në Euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi”.
Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi.