Përfundon bastisja, Sylejman Selimi intervistohet për pengim të drejtësisë
Ka përfunduar bastisja tek shtëpia e ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, në lagjen Vetërnik në Prishtinë.
Selimi u intervistua sot nga Specialja, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.
Një ekip i Klan Kosovës ka qëndruar që nga orët e mëngjesit në vendin e ngjarjes për ta përcjellë nga afër operacionin.
Avokati Qerkini thotë se shtëpia e Selimit u bastis nën dyshimet për prova që lidhen me pengimin në drejtësi
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë sot kreu operacione në Kosovë. Shtëpia e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi u bastis, konfirmoi për gazetën online Reporteri.net zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializua, Christopher Bennett.
Avokati i Selimit, Artan Qerkini ka konfirmuar bastisjen në shtëpinë e Selimit.
Qerkini ka thënë para mediave se Selimi nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por se bastisja është kryer meqë mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pasur prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë.
“Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake është bastisur shtëpia e z.Sylejman Selimi. Fillimisht vlen të theksohet se ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar, por sipas urdhërit të gjykatës mendohet se në shtëpinë e tij mund të ketë pas prova që ndërlidhen me procedimet penale për pengim të drejtësisë”, tha Qerkini para gazetarëve.
Qerkini pati vërejtje lidhur me urdhrin për bastisje.
“Ne i kemi disa vërejtje në vet urdhërin. Mendojmë se nuk është lëshuar në përputhje me dispozitat ligjore e për më shumë i cenon edhe disa të drejta kushtetuese të personave sepse nuk mund të cenohet privatësia e një personi me urdhër të gjykatës nëse ai nuk e ka statusin e personit të dyshuar”, tha Qerkini.
Në Gjykatën Speciale aktualisht janë duke u zhvilluar disa gjykime ndaj ish-eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Deri më tani, gjykata ka dënuar ish-eprorin e UÇK-së, Salih Mustafa me 22 vjet burgim për krime lufte si dhe janë shqiptuar dënime për pengimin e drejtësisë për dy ish-figura të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj./Reporteri.net/.