Kurti njofton për vendimet që u morën në mbledhjen e sotme të Qeverisë
Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje të rregullt, në të cilën ka:
– Miratuar Projektligjin për të Huajt, i cili rregullon kushtet e hyrjes, kalimit transit, qëndrimit dhe daljes së të huajve në dhe nga territori i Republikës së Kosovës. Përmes tij synohet të adresohen sfidat bashkëkohore të migracionit duke paraparë masa gjithëpërfshirëse, të rrisë sigurinë kufitare, si dhe të promovojë integrimin e suksesshëm të të huajve në komunitetin tonë.
– Miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore, “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE)/ Energy Storage Corporation (ESCorp)”, Sh.A, në pronësi të Republikës së Kosovës, me njëqind për qind (100 %) aksione të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në zbatim të Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe programit të zbatimit, dhe me qëllim të mbështetjes për sigurinë energjetike dhe tranzicionin drejt një të ardhmeje më të pastër të energjisë, Republika e Kosovës synon që në sistemin e saj energjetik të instalojë 170MW kapacitet për ruajtjen e energjisë përmes baterive. Programi Kompakt parasheh krijimin e një entiteti që do të ketë në pronësi dhe do të menaxhoj 125MW të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri. Ky entitet është vendosur të jetë një ndërmarrje publike, e cila themelohet si Shoqëri Aksionare, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës dhe financohet nga Programi Kompakt për 5 vitet e para të operimit të saj.
– Ndarë 76,730.00 euro për zbatimin e masës 2.1 – Subvencionimi i kredive investive të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme e cila preket nga realizimi i Projektit: Konservimi dhe Restaurimi i Shtëpisë në Kompleksin Memorial “Masakra e Reçakut”, ZK Reçak, Komuna e Shtimes.
– Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme Objekti i ish Ndërmarrjes Shoqërore “Liria” në Prizren, e cila është e nevojshme për realizimin e Projektit: “Krijimi i hapësirave për lëvizshmërinë e trafikut dhe këmbësorëve”.
– Miratuar nismën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për negocimin e Marrëveshjes ndërkombëtare të partneritetit për “Menaxhimin e grant kontratës të asistencës teknike me numër 2023/450-113 në kuadër të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut nën IPA III (2021-2027). Kjo marrëveshje ka për qëllim përcaktimin e përgjegjësive për zbatimin e asistencës teknike të programit për bashkëpunim ndërkufitar Kosovë – Maqedoni e Veriut.
– Miratuar vendimin për rekomandimin e Presidentes së Republikës së Kosovës për autorizimin e Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, për nënshkrimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Evropiane për Investime për projektin “Energjia Diellore Fotovoltaike në KEK – Porta Globale”.
– Miratuar vendimin për aprovimin e kërkesës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës, për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumën prej 25,000.00 euro për realizimin e projektit “Enciklopedia Shqiptare”.
– Miratuar nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për negocimin e Marrëveshjes së Grantit në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Mitrovica dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Zhvillimi i Ujërave të Zeza në Mitrovicë”.
– Ndarë mjete buxhetore në shumë prej 520,000.00 euro për financimin shtesë të projektit “Renovimi i kulmit dhe rikonstruksioni i hapësirave të brendshme në objektin e Institutit për Mjekësi Ligjore”.
– Miratuar propozimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës për blerjen e objekteve për nevojat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës në Paris (Francë), Romë (Itali), Otavë (Kanada) dhe Ankara (Turqi). Përmes këtij vendimi i hapet rruga fillimit të procedurave të blerjes, siç parashihet në legjislacionin respektiv në fuqi.