Sot 20 vjet nga trazirat e marsit kundër UNMIK-ut, ku mbetën të vdekur 19 persona!
Më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të njiheshin si “Trazirat e marsit”. Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre vranë 20 civilë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.
Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur tre fëmijë shqiptarë në tentim për t’i shpëtuar sulmit nga një grup i të rinjve serbë. Shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.
Një nga fëmijët e mbijetuar tregoi para kamerave se ishin ndjekur nga serbët dhe se ata ishin duke ikur, kur disa nga bashkëmoshatarët u mbytën në lumë. Të nesërmen, më 17 mars filluan protestat në shumë qytete të Kosovës, që shumë shpejt përshkallëzuan në dhunë.
Protestat ishin drejtuar kundër UNMIK-ut.
Gjatë trazirave u dogjën disa shtëpi dhe kisha serbe. Ngjarje të ngjashme ndodhen me shtëpitë shqiptare në pjesët me shumicë serbe. Serbët u hakmorën edhe me djegien e disa xhamive në Serbi.
Këto trazira zgjuan nga gjumi shumë vendimmarrës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar këto ngjarje nëpërmjet një postimi në Facebook. Kurti ka thënë se ka mbetur e paqartë dhe e pasqaruar se kush i orientoi protestat drejt vendbanimeve me serbë e kishave e manastireve serbe.
“Sot u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut. Katër fëmijë shqiptarë u ndoqën nga një grup i të rinjve të komunitetit serb. Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, prej nga i gjallë doli vetëm Fitim Veseli. Ndodhi kjo në një kohë e kontekst me përplot paqartësi për të ardhmen e vendit, pas luftës për të cilën plagët e kujtimet ishin ende shumë të gjalla teksa drejtësia për krimet, vuajtjet e dëmet e përjetuara nuk shihej asgjëkundi. Lajmi për mbytjen në lum të Egzon Deliut, 13 vjeç, Avni Veselit, 12 vjeç, dhe Florent Veselit, 9 vjeç, u shpërnda rrufe dhe jehoi kobshëm në çdo cep të vendit. Protestat e qytetarëve në rrugë ishin përgjigjja e menjëhershme. Pa thirrje të organizuar e pa organizim në mbarëvajtje, ato shumë shpejt morën përmasa masive duke përfshirë gjithë Kosovën. E kur protesta është spontane e pa organizim, që ajo të jetë paqësore dhe e qetë duhet që secili pjesëmarrës të jetë paqësor e i qetë. Ndërsa për t’u bërë e dhunshme mjaftojnë vetëm një grusht i protestuesve të jenë të tillë. Dhe kështu ndodhi. Madje, fillimisht ato ishin të drejtuara kundër UNMIK-ut e, më pas, se kush i orientoi drejt vendbanimeve me serbë dhe kishave e manastireve ortodokse nuk u sqarua asnjëherë”, shkroi Kurti.
Kurti ka thënë se emrat e katër të vrarëve ende nuk dihen. Ai ka treguar se si hakmarrje pati dhunë edhe në Nish e Novi Sad ku u shënjestruan pakicat, kryesisht shqiptarët.
“Në Mitrovicë u vranë gjashtë qytetarë: Fatmir Abdullahu, Ferid Çitaku, Isak Ibrahimi, Ajvaz Shatrolli, Jana Tuçe (nga Maqedonia e Veriut) dhe Borivoje Spasojeviq. Në Lipjan tre: Nenad Vesiq, Nevzat Rrahmani dhe Arben Shala. Në Gjilan një: Sllobodan Periq. Në Bellopojë një: Esat Tahiraj, nga Novosella. Në Dajkoc dy: Dobrivoje Stolliq dhe Borko Stolliq. Në Çagllavicë tre: vëllezërit Bujar dhe Kastriot Elshani nga Drenasi dhe një person i paidentifikuar. E në Ferizaj një: Alimuhamet Murseli. (Pra, nuk po i dijmë emrat e katër të vrarëve nga gjithsej 20, e nëse konsideroni që ka pasaktësi në emrat ekzistues, ju lutem na e thoni). Qindra persona u plagosën, përfshirë këtu pjesëtarë të policisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, qindra prona private e objekte të ndryshme u shkatërruan ose dëmtuan përfshirë edhe dhjetëra objekte kulturore dhe fetare. Hakmarrja dhe reagimi për ngjarjet e marsit u përcoll edhe në anën tjetër të kufirit, në Serbi. Dhunë pati në qytetet e Nishit dhe Novi Sadit. Shënjestër ishin shqiptarët dhe grupet tjera të pakicave. Edhe atje u shkaktuan dëme në prona private dhe objekte fetare e kulturore”.
Kurti ka thënë se atë kohë Kosova nuk kishte përgatitjen institucionale për ta depërshkallëzuar situatën, pasi ishte në administrim total ndërkombëtarë, por tha se disa policë treguan guxim dhe rrezikuan jetën për të mbrojtur serbët në shumë qytete e fshatra.
nuk kishte përgatitjen institucionale që ka tani për të parandaluar apo depërshkallëzuar situatën. Vendi ishte nën administrim total ndërkombëtar. Policia e Kosovës që atëherë quhej Shërbimi Policor i Kosovës, përbëhej nga trupa që nuk ishin të pajisur për trazira të tilla. E megjithatë, disa pjesëtarë të Policisë treguan guxim duke rrezikuar jetën e tyre për të ndihmuar e mbrojtur serbë në shumë qytete dhe fshatra. Prej atëherë shumica e dëmeve materiale që atë kohë kishin marrë përparësi para humbjeve njerëzore, u rikuperuan. Objektet e kultit fetar ortodoks u rinovuan me para të taksapaguesve të Kosovës. Atyre sot u ofrohet mbrojtje e fizike e veçantë nga Policia e Kosovës. 20 vjet pas, i kujtojmë ato ngjarje, ndonëse me shumë të panjohura se si rrodhën, teksa ia rikujtojmë vetes se paqja dhe siguria nuk mund të merren të mirëqena. Ato janë më të vështira se dhuna, sepse duhet të mbahen, ruhen e mirëmbahen vazhdimisht. E ajo çka dimë është që Egzoni, Avniu dhe Florenti i mungojnë familjes, dhe të gjithë neve edhe sot, për çdo ditë”, ka shkruar Kurti.