MaqedoniTop Lajme

Strugë, nga viti në vit thellohet kriza në sektorin e gastronomisë, mungojnë shumë punëtorë

Shpërndaje

Largim masiv i të rinjve dhe largimi i forcës së kualifikuar punëtore po e bënë gjithmonë edhe më të vështirë funksionimin e sektorit të gastronomisë në Strugë. Kriza thellohet edhe më shumë në prag të fillimit të sezonit turistik. Mungesa e kapaciteteve në këtë sektor ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e turizmit në këtë qytet, ekonomia e së cilës është e lidhur ngushtë me turizmin. Përderisa pronarët e lokaleve gastronomike shohin opcionin që të mos punojnë me kapacitete të plota ekonomistët bëjnë thirrje që të ndërmerren hapa konkrete për zgjidhjen e këtij problemi, shkruan Portalb.mk.

Mungesa e fuqisë punëtore do të jetë sfida më e madhe me të cilën do të përballen gastronomët nga Struga si dhe Ohri edhe këtë vit. Më shumë se 10,000 punëtorë kanë shkuar për të punuar në bregdetin kroat verën e kaluar, ndërkohë dhe largimi masiv i të rinjve për jetë më të mirë në perëndim ka bërë që ky sektor të ngulfatet edhe më shumë duke lënë kapacitetet tona turistike të punojnë me nxënës të shkollave të mesme dhe pensionistë.

Luman Tafa, menaxher i një ndër lokaleve më të vjetra dhe më të njohura në Strugë thotë për Portalb.mk se e shikojnë mundësinë që këtë verë të mos punojnë me kapacitete të plota për shkak se e kanë të pamundur të sigurojnë forcë punëtore për ta përballuar fluksin e punës gjatë verës. Tafa shton se restoranti që ai menaxhon ka rreth 30 vite që është në shërbim të klientëve dhe se kriza për sigurimin e punëtorëve që ka filluar të paraqitet viteve të fundit po thellohet gjithmonë edhe më shumë.

“Restoranti jonë është një biznes familjar, ndër të parët në qytetin e Strugës. Ka 27 vite që funksionojmë në mënyrë aktive gjatë çdo periudhe të vitit dhe ofrojmë shërbim cilësor për klientët. Gjatë periudhës së verës restoranti funksionon me kapacitet të plotë, pra pjesa e brendshme dhe terasa, që do të thotë se kemi rreth 300 ulëse dhe shpesh ndodh që njerëzit të presin radhë për tu ulur. Deri tash kemi funksionuar me sukses falë stafit profesional që kemi pasur, megjithatë këto vitet e fundit po përballemi me një problem shumë të madh në sigurimin e stafit profesional por edhe atij sezonal në përgjithësi. “, u shpreh Luman Tafa.

Ndonëse rrogat që ofrohen në këtë sektor nuk janë të vogla për vendin ku ne jetojmë, Tafa thotë se të rinjtë gjithnjë e më pak kanë interes të kyçen në sektorin e gastronomisë. Rrogat fillojnë nga 30 000 denarë e lartë varësisht të pozicionit, megjithatë, interesimi është shumë i ulët.

“Përderisa afrohet sezoni veror ne po mendojmë të gjejmë një zgjidhje sa më të përshtatshme për të funksionuar. Sigurimi i forcës së nevojshme punëtore është i pamundur kështu që po shqyrtojmë opcionet që të punojmë vetëm me një orar pune ose me gjysmë kapaciteti. Gjatë verës ka një fluks të madh qarkullimi këtu te ne, ka shumë njerëz që vijnë nga vende të ndryshme enkas për të të shijuar një drekë tek ne apo për ta shijuar plazhin, por në pamundësi për të siguruar staf ne nuk do mundemi as ti shërbejmë turistit e shumtë që na vizitojnë”, tha Luman Tafa. Në Strugë ka kapacitete akomoduese për akomodim të 8-10 mijë turistë në ditë, që do të thotë se disponon me 4000 dhoma me 8-10 mijë shtretër (hotele, motele, autokampe, dhoma, apartamente, shtëpi dhe lloje tjera të akomodimit). Në tërë territorin e Strugës funksionojnë 60 restorante me karakter tradicional dhe bashkëkohor, 50 fast-food kapacitete dhe 60 kafeteri bashkëkohore për të gjitha preferencat dhe 20 agjenci turistikepër organizim të udhëtimeve të turistëve. Turizmi është burimi kryesor i ekonomisë që përgjithshme të qytetit dhe gastronomia padyshim është elementi më i rëndësishëm i turizmit.

Shpresat që sektorit të gastronomisë ti dalë në ndihmë drejtimi i “Turizëm dhe Hotelieri” në shkollën e mesme profesionale të qytetit të Strugës, janë shumë të vogla. Sipas profesoreshës Ajhan Xhila, edhe pse ka mjaftë interesim për tu regjistruar në këtë drejtim shqetësues mbetet fakti se një numër i konsideruar i nxënësve e zgjedhin drejtimin në fjalë vetëm për të përmbushur kërkesën e shkollimit të detyrueshëm të mesëm dhe nuk e shohin si drejtim me perspektivë për tu punësuar pas përfundimit të shkollës.

“Interesimi për drejtimin e gastronomisë, është më i madh në krahasim me vitet më parë, megjithatë nuk mundet mos dallohet rënia e numrit të nxënësve në përgjithësi. Hoteleria dhe turizmi është një drejtim shumë më i përshtatur për qytetin tonë si një vend turistik. Fakt është se punëdhënësit kërkojnë më shumë nxënës dhe punëtor profesional, bashkëpunimi me objektet e hoteleries është i mirëpritur si nga shkolla ashtu edhe nga sektori gastronomik në Strugë. Si shkollë na nevojiten më tepër kushte për të mbajtur mësimin praktik. Momentalisht nuk kemi kabinet pune për shkak se po rinovohet. Për këtë arsye nxënësit më tepër e kryejnë mësimin praktik tek punëdhënësi-objektet hotelerike. Falë këtij funksionimi nxënësit që tregojnë përkushtim dhe sukses më të mirë kanë mundësi më të lehtë për punësim në objektet hotelerike ketu tek ne dhe jashtë vendit tonë. Drejtimi jonë përballet me një problem shumë të madh dhe shqetësues, një pjesë e madhe e nxënësve kanë shumë pak dëshirë dhe interes për shkollën ata në fakt vijnë në shkollë vetëm për arsyen se shkollimi i mesëm është i detyruar por nuk shikojnë prospektivë për tu profesionalizuar në këtë drejtim. Kjo gjë e vështirëson tej mase edhe punën tonë si profesor”, deklaroi për Portalb.mk, Ajhan Xhila profesoreshë në drejtimin Hotelieri dhe Turizëm në Shkollën e Mesme Profesionale “Niko Nestor” në Strugë.

Mungesa e kuadrove profesionale është i dëmshëm dhe ul potencialin për rritje ekonomike
Ndërkohë mungesa e kuadrit të punës në sektorin e gastronomisë ka dhe pasojat direkte negative në ekonominë e përgjithshme të qytetit. Sipas ekonomistes dhe docentes në UNT, Arbresh Raveni, lista e pasojave negative që ky fenomen ka në ekonominë e vendit është e gjatë.

“Mungesa e kuadrove profesionale është i dëmshëm dhe ul potencialin për rritje ekonomike të vendit tonë, frenon thithjen e Investimeve Direkte të Huaja (IHD), vështirëson transformimin strukturor të ekonomisë sonë, ngadalëson konvergjencën ekonomike me vendet e EU dhe përkeqëson problemet strukturore në tregun e punës. Mungesa e kuadrove profesionale është shumë i dëmshëm për produktivitetin, konkurrueshmerinë dhe profitabilitetin e bizneseve. Mungesa e punëtoreve te kualifikuar pengon zhvillimin e veprimtarive te përditshme të bizneseve, frenon rritjen e tyre, frenon planet për zgjerim të veprimtarisë apo investime më të mëdha dhe në raste ekstreme mund të çojë edhe deri te mbyllja ose falimentimi i biznesit. Në mungesë të kuadrove profesional bizneset janë të detyruar të punësojnë punëtorë të pakualifikuar që si rrjedhojë ul produktivitetin e punës dhe cilësinë e produkteve dhe shërbimeve. Problemi i mungesës së kuadrove profesionale është agravuar nga trendi ne rritje i migrimit te forcës punëtore të kualifikuar”, thotë për Portalb.mk,Arbresh Raveni.

Është fakt se migrimi është faktori kryesor i sfidës me mungesën e fuqisë punëtore. Struga është një nga qytet e RMV popullsia e së cilës është tkurrur shumë ndër vite.
Sipas regjistrimit të vitit 2002 në Komunën e Strugës ka pasur mbi 63 mijë banor ndërsa regjistrimi i fundit i popullsisë nxorri në pah se popullsia në këtë komunë është zvogëluar dukshëm, aktualisht në Komunën e Strugës jetojnë 50 980 banorë. Sipas të dhënave zyrtare në nivel nacional, Maqedonia e Veriut vitet e fundit ka shënuar rritje të emigrimit në raport me popullsinë, duke e renditur në vendin e katërt në botë. Në vitin 2023, sipas Eurostat, aplikimet arritën rekordin e viteve të fundit, 6760 kërkesa, një numër ky mjaft i lartë në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në vend.

“Studimet empirike mbi migrimin në vendin tonë sugjerojnë se faktorët më të rëndësishëm që i shtyjnë njerëzit të emigrojnë janë të ashtuquajturat “push factors”: (mundësitë e pakta për punësim, pagat e ulëta, pasiguria, perspektiva e zymtë e integrimit të vendit në BE, niveli i lartë i korrupsionit, niveli i lartë i nepotizmit, mosrespektimi i ligjit dhe mosfunksionimi adekuat i shtetit të së drejtës, mbrojte dhe politika sociale jo-eficiente, infrastruktura e dobët dhe niveli degradues i arsimit dhe shëndetësisë) dhe “pull factors” (të ardhura më të larta , perspektivë më e mirë për avancim në karrierë, sistem shëndetësor dhe social më i mirë, sistem arsimor më i mirë, shtet funksional dhe i sigurt). Reformat strukturore që do të ulnin papunësinë sidomos të të rinjve, reforma që do të përmirësonin cilësinë e arsimit dhe do të reduktonin mospërputhjen e aftësive ne tregun e punës (skills mismatch), reformat që do të reduktonin ekonominë informale, reformat strukturore që do të kontribuonin në një treg pune më gjithëpërfshirës, reforma për forcimin e shtetit të së drejtës, reforma për zvogëlimin e korrupsionit dhe nepotizmit janë të nevojshme dhe urgjente për të frenuar migrimin masiv te forcës punëtore nga vendi ynë. Qeveria ka miratuar Strategjinë Nacionale për parandalimin e migrimit 2021-2025 e cila në thelb përmban disa masa që do të përmisonin aksesin e të rinjve në tregun e punës, programe aktive për trajnimin e të rinjve dhe të papunëve, mbështetje institucionale për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritje të pagave, megjithatë mbetet për tu parë se si do të implementohen këto masa në praktikë dhe sa do të ndikojnë në frenimin e emigrimit të forcës punëtore nga Maqedonia e Veriut”, theksoi Raveni.