Si i bëri bashkë Bujar Osmani 4 shtete ballkanike dhe e trazoi Serbinë
Kandidati i Frontit Europian për President të shtetit, Bujar Osmani vazhdon t’u jep përgjigje pyetjeve në adresën e tij në “tiktok”. “Na kallxo një punë që e ke kundërshtuar Vuciçin. Një herë sja prishe”, ka qenë pyetja e radhës që ka nxitur Bujar Osmanin që t’i jep përgjigje direkte. “Para një viti themelova një iniciativë rajonale prej katër shteteve, që e quajta Quad 100% (WB QUAD). Quad – se do të thotë 4-she, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Dhe, e quajta Quad 100%, për shkak se këto katër shtetet kanë harmonizuar ose kanë bërë politikën e jashtme njësoj, qind për qind sikur BE-ja. Për shembull, nëse BE-ja i ka vendosur sanksione Rusisë, edhe këto shtete qind për qind i kanë vendosur sanksione Rusisë. Nëse BE-ja ka marrë ndonjë masë kundër dikujt tjetër, edhe ne e përcjellim politikën e BE-së.
Në Ballkan, prej gjashtë shteteve, katër jemi 100%, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Dhe unë desha që t’i promovojë këto katër shtete, dhe të tregoj që nëse do të jesh anëtar i BE-së, duhet edhe politikën e jashtme ta kesh njësojë sikur BE-ja. Dhe i ftova ministrat këtu, prej katër shteteve, tre ministra ishin shqiptarë dhe një malazez.
Kishte njëherë dilema prej Malit të Zi, si bëhet me një grup me tre ministra shqiptarë, katër shtete. Mirëpo, për shkak se unë kisha raporte shumë të mira personale me të, dhe prandaj ndonjëherë them, është shumë me rëndësi Ministri i Jashtëm të ketë kredibilitet, kontakte me njerëzit, se ja, në raste të tilla, e bind se është mirë shteti i tij të jetë pjesë e kësaj iniciative. U mblodhën këto katër ministrat, tre shqiptarë dhe një malazez, këtu tek Hotel Hillton, e themeluam iniciativën, dhe normalisht e shpallëm, e bëmë publike.
Atë ditë, e di që Presidenti i Serbisë, nuk ka lënë shtet pa thirrur në telefon, përfshirë edhe këtu Kryeministrin e Maqedonisë asokohe, Presidentin e shtetit, duke u kërcënuar, se kjo do t’i prish raportet, se këtu është fundi, e kështu me radhë. Mirëpo, ne, kjo nuk na trazoj fare. E di që i kanë bërë shumë presion edhe Ministrit të Malit të Zi asokohe, se përse ka pranuar të hyn në më një klub ku është Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Ata e quanin klub të shteteve shqiptare, që mendoj është kualifikim krejt gabim, për shkak se ne me vetëdije e bëmë, si shtete që jemi harmonizuar me BE-në, dhe jo që kishim ambicie tjera. Mirëpo, kjo është një situatë, pasi pyete, që ka krijuar shumë tensione, për shkak se është iniciativë ekzistuese dhe ende ekziston, dhe unë planifikojë që edhe këtë vit të thirri përsëri në mbledhje të këtyre katër shteteve, dhe të vazhdojmë me qëllim që të promovojmë politikat e harmonizimit me BE-në”.
Kujtojmë se, Agjencia ruse e regjimit “Sputnik” shkruante se “Ky është një komunitet pro NATO-n dhe kundër Rusisë”. “Russia Today”, media e regjimit të Putinit e shihte iniciativën e Kryediplomatit shqiptar të Maqedonisë së Veriut si tentim për izolimin e Serbisë. Ndërkaq, mediat serbe pro-Viçiqit shkruanin: “Vendet e rajonit formuan një Ballkan të ri Perëndimor pa Serbinë! Plani u sajua në Shkup!”.