Bota

Irani: Nëse Izraeli sulmon, jemi të gatshëm të përdorim armët që nuk i kemi përdorur më parë

Shpërndaje

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurimit të Parlamentit Iranian, Abulfazl Amouei, tha se nëse Izraeli sulmon do të përdorin armët që nuk i kanë përdorur më parë, transmeton Anadolu.

Sipas faqes së lajmeve “Entekhab”, në një deklaratë për televizionin Al-Mayadeen me qendër në Liban, Amouei vlerësoi mundësinë e kundërpërgjigjes së Izraelit ndaj Iranit.

Amouei tha se sulmi që vendi i tij kreu ndaj Izraelit më 13 prill është i ligjshëm dhe ata do të japin kundërpërgjigje ndaj çdo sulmi të Izraelit.

“Jemi të gatshëm të përdorim armë që nuk i kemi përdorur më parë. Kemi planet tona për çdo skenar. Izraeli duhet të veprojë me logjikë”, tha Amouei.

– Tensionet Iran-Izrael

Më 1 prill Izraeli kreu sulm ajror në ndërtesën e konsullatës së Iranit në Damask. Në sulm humbën jetën 7 anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), përfshirë 2 gjeneralë.

Pas sulmit, udhëheqja e lartë politike dhe ushtarake iraniane u zotua për “hakmarrje vendimtare”.

Më 13 prill, Irani lëshoi një breshëri dronësh dhe raketash drejt Izraelit në një operacion të quajtur “Premtimi i Vërtetë”, që zgjati disa orë, duke ndezur situatën tashmë të tensionuar rajonale.

Mediat izraelite pretendojnë se qeveria e Tel Avivit ka marrë vendim që të kundërpërgjigjet në “mënyrë të hapur dhe efektive” ndaj sulmit ajror të Iranit.