Bota

Anija e 9-të me ndihma nga Türkiye për Gazën ankorohet në portin egjiptian

Shpërndaje

“Anija e 9-të e Mirësisë” që u nis nga Türkiye për Gazën, u ankorua në portin El-Arish të Egjiptit, ku do të shkarkohen 3.774 tonë materiale me ndihma humanitare, raporton Anadolu.

Anija që u nis nga porti i Mersinit më 16 prill, pasi ngarkoi produkte të nevojshme urgjente si produkte ushqimore, ushqime për fëmijë dhe çanta gjumi, të siguruara nën udhëheqjen e Gjysmëhënës së Kuqe Turke, mbërriti në brigjet e portit El-Arish në orët e natës pas një udhëtimi në det që zgjati 55 orë.

Anija e kaloi natën në det të hapur dhe në mëngjes hyri në port e shoqëruar nga një kapiten udhëzues. Thuhet se 3.774 tonë materiale të ndihmave humanitare që do të shkarkohen nga anija e ankoruar në port do të transportohen me maune dhe kamionë në pikën kufitare Rafah.

Pas përfundimit të procedurave doganore, materialet do t’i dorëzohen Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze e cila më pas do t’ua dërgojë qytetarëve të Gazës që ndodhen nën sulmet izraelite.

Në bashkëpunim me Gjysmëhënën e Kuqe Turke dhe AFAD, deri më tani me 13 avionë dhe 8 anije në Gaza janë dërguar gjithsej rreth 42 mijë tonë materiale të ndryshme ndihmash humanitare.