Kurti dhe homologu i Malit të Zi flasin për rrugën e përbashkët të integrimit evropian
Kryeministri Albin Kurti është takuar me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, të enjten në Kotor, ku po mbahet Samiti i Liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për Planin e Rritjes së BE-së.
Sipas komunikatës nga Zyra e Kryeministrit, në këtë takim Kurti dhe Spajiqi biseduan për bashkëpunimin rajonal dhe atë në rrugën e përbashkët të integrimit evropian.
“Si dhe për mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe të përvojave në fusha të ndryshme. Ata gjithashtu diskutuan edhe për projektet infrastrukturore që lidhin dy vendet, duke theksuar rëndësinë e tyre për qytetarët në të dy anët e kufirit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Kurti ka marrë pjesë në takimin e tretë ndërmjet liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar rreth Planit të Rritjes me Bashkimin Evropian dhe prezencën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe organizatat partnere të rajonit, që është mbajtur nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”.