Zbardhet aktiviteti i atentatorit të kryeministrit sllovak, ishte pjesë e një grupi pro-rus
Juraj Cintula, i cili plagosi kryeministrin sllovak Robert Fico të mërkurën, është i lidhur me ish-grupin paraushtarak “Ushtarët Sllovakë” (SB).
Sipas të dhënave të vsquare.org, drejtuesit e këtij grupi janë trajnuar nga ish-pjesëtarë të forcave speciale ruse, raporton portali Novinky.
Në vitin 2016, Cintula shkroi disa mesazhe pro-ruse në profilin e SB në Facebook.
Atentatori i kryeministrit sllovak deklaroi se e kishte marrë vesh për ekzistencën e grupit në maj të vitit 2015.
“Më tërhoqën sepse nuk janë të varur nga shteti, gjë që është praktikisht e pakuptueshme në një shoqëri pasive si kjo e jona (Sllovakia). Gjithashtu më bëri përshtypje që ata blejnë vetëm pajisje dhe armë me paratë e tyre. Qindra mijëra emigrantë vijnë në Evropë, pjesë e së cilës ne jemi. Ushtarët Sllovakë nuk po përgatiten për të luftuar, por për mbrojtje”, ka shkruar ai në Facebook.
Portali Novinky thekson se SB është një grup paraushtarak i paregjistruar me një orientim dukshëm pro-rus, i cili ka qenë aktiv në Sllovaki që nga viti 2012. Është themeluar si një klub ushtarak i paregjistruar, ekzistenca e të cilit që nga prilli i vitit 2016 sponsorizohet nga shoqata qytetare “Atdheu ynë është e ardhmja jonë”, me të cilën ndan botëkuptim të ngjashëm.