BotaTop Lajme

SHBA, rifillojnë protestat në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Kalifornisë

Shpërndaje

Studentët mbështetës pro-palestinezë në Universitetin e Kalifornisë (UCLA) në SHBA, ngritën një kamp të ri solidariteti me qëllimin për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Qindra studentë që u mblodhën në Los Angeles, rifilluan protestën kur rektori i UCLA-së, Gene Block u akuzua në Kongresin amerikan me arsyen se ka “dështuar të garantojë sigurinë e studentëve hebrenj” në kampuset e lidhur me universitetin.

Studentët u mblodhën në verandën e ndërtesës “Kerckhoff Hall” në kampus dhe ngritën një zonë të re kampi duke përdorur barrikada druri, gardhe metalike dhe tryeza.

Personeli i universitetit paralajmëroi protestuesit që të largohen menjëherë nga kampusi, në të kundërtën mund të përballen me masë disiplinore ose mund të arrestohen.

Një pjesë e studentëve që morën pjesë në protestën në mbështetje të Palestinës i dhanë fund protestës pas këtij paralajmërimi ndërsa disa të tjerë u mblodhën sërish në ndërtesën “Dodd Hall” të universitetit.

– “Si pedagogë dhe punonjës të UCLA-së qëndrojmë pranë studentëve tanë”

Studentët në protestat e mëparshme brohoritën me sloganet se përdorimi i shkopit të gomës dhe plumbave plastikë nga policia ndaj tyre është i gabuar.

Ndaj studentëve pro Palestinës dhanë mbështetje edhe disa pedagogë dhe anëtarë të sindikatës. Në pankartën e mbajtur nga studentët shkruhej “Si pedagogë dhe punonjës të UCLA-së, ne qëndrojmë pranë studentëve tanë”.

Protesta paqësore që zgjati për orë të tëra, përfundoi me ndërhyrjen e policisë.