MaqedoniTop Lajme

BDI: Mbështesim dhe kërkojmë mbylljen e menjëhershme dhe të tërësishme të kazinove dhe bastoreve

Shpërndaje

Nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë kërkuar mbylljen e menjëhershme të kazinove dhe bastoreve, duke i kujtuar qeverisë së re se në kohën e qeverisjes së BDI-së ky ligj u përkrah dhe nga shoqata anti-bizhoz, mirëpo i njejti ishte penguar nga opozitarja e asaj kohe, VMRO-DPMNE.

Reagimi i plotë:

Një nga përcaktimet programore të Bashkimit Demokratik për Integrim është mbyllja e tërësishme e të gjitha objekteve për organizimin e lojërave të fatit, kazinove dhe bastoreve në vendin tonë.

Në mandatin e kaluar, BDI dhe Qeveria propozuan ligj, i cili u mbështet edhe nga shoqata anti-bixhoz, për dislokimin e kazinove dhe bastoreve në minimum 500 metra nga shkollat dhe objektet fetare si dhe ashpërsimin e kushteve për licencim dhe rritjen e tatimeve ndaj organizatorëve.

Ky ligj nuk i përmbushte tërësisht pritjet tona edhe të qytetarëve, për arsye se angazhimi jonë që nga dita e parë është mbyllja e tërësishme e kazinove dhe bastoreve.

Ligji u bllokua gati 3 vite nga opozita e atëhershmë, por më në fund u votua dhe u miratua nga Kuvendi, pa përkahjen e deputetëve që sot janë pjesë e VLEN.

Asokohe, ish Presidenti Pendarovski nuk e firmosi ligjin. Në rivotimin pas kthimit të ligjit nga Pendarovski, deputetët që sốt janë pjesë e VLEN, nuk votuan për miratimin e ligjit dhe mundësuan vazhdimin e funksionimit të kazinove dhe bastoreve.

Këta vazalë që poshtërsuan shqiptarët bënë fushatë me shpifje të vazhdueshme dhe premtuan në programin e tyre mbylljen e tërësishme të kazinove dhe bastoreve dhe ne, bashkë edhe me Aleancën për Shqiptarët dhe deputetët tjerë, po i sfidojmë, ti mbyllim ato tërësisht, ti ndalojmë lojërat e fatit përgjithmonë në vendin tonë.

Deputetët e BDI dhe të Frontit Europian mbështesin mbylljën e tërësishme dhe të menjëhershme të të gjitha lojërave të fatit në vendin tonë.