Erdoğan: Türkiye pret që aleatët e NATO-s të marrin qasje jodiskriminuese në luftën kundër terroristëve
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha se Türkiye lufton organizatat terroriste pa diskriminim dhe pret që aleatët e NATO-s të marrin një qasje të ngjashme kundër terrorizmit, transmeton Anadolu.
“Për fat të keq, ne nuk kemi marrë nivelin e pritur të mbështetjes dhe solidaritetit nga aleatët tanë deri më tani. Ne nuk mund ta tolerojmë këtë situatë, as nuk është në përputhje me frymën e aleancës, që drejtuesit e organizatave terroriste që përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të Türkiyes të pranohen si aktorë legjitimë”, tha presidenti Erdoğan në një intervistë ekskluzive për “Newsweek”.
Duke vënë në dukje se Ankaraja miraton një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kërcënimeve të sigurisë në një mënyrë që kontribuon gjithashtu në sigurinë e aleatëve të saj, ai theksoi: “Ne besojmë se do të ishte më mirë të adoptohej një qasje parimore ndaj problemeve në rajonin tonë dhe në botë, në vend të një qasjeje të bazuar në interesa subjektive dhe afatshkurtra”.
Duke theksuar se lufta kundër terrorizmit është një çështje “shqetësuese”, Erdoğan tha: “Ne jemi një vend i NATO-s. Kërcënimi për sigurinë tonë kombëtare është kërcënim për të gjitha vendet e NATO-s, veçanërisht për SHBA-në. Në fakt, kjo është situata siç dëshmohet nga marrëveshjet që ishin përgjegjëse për krijimin dhe vazhdimin e ekzistencës së NATO-s”.
Megjithatë, shtoi presidenti turk, “mbështetja e dhënë nga SHBA-ja dhe disa nga aleatët tanë të tjerë për organizatat terroriste PKK/PYD/YPG dhe FETO që kërcënojnë sigurinë tonë nuk përputhet me këto parime të NATO-s”.
“Organizata terroriste PKK/PYD/YPG përdor mbështetjen e dhënë nën pretekstin e ‘luftimit të DEASH-it’ për të na sulmuar ne dhe Sirinë. Ne jemi ata që luftojmë me të vërtetë DEASH-in. Ne jemi aleati i vetëm i NATO-s që angazhohet në luftime të ngushta me DEASH-in. Ne po përpiqemi për një klimë paqeje në Siri, zgjidhja e të gjitha këtyre konflikteve është një njëzëshmëri e re shoqërore në Siri mbi bazën e integritetit territorial”, deklaroi Erdoğan.
Erdoğan shprehu gjithashtu dëshirën që Siria të bëhet një “shtet i begatë plotësisht i lirë nga terrorizmi dhe i qeverisur nga sirianët”.
Ndërsa pranoi dallimet me SHBA-në, presidenti turk nënvizoi se Türkiye dhe SHBA-ja kanë “lidhje të rrënjosura thellë”, duke shtuar: “Ne synojmë t’i zhvillojmë ato”.
Lidhur me praninë e terroristëve të DEASH-it dhe terroristëve të PKK/YPG-së pranë kufijve të Türkiyes, Erdoğan tha: “Ne nuk kemi asnjë problem me popullsinë kurde, as në Siri dhe as në Irak. Ne kemi problem me terroristët dhe jemi afër duke e zgjidhur atë duke neutralizuar terroristët”.
“Për ata që mendojnë se mund të krijojnë një shtet terrorist në rajonin tonë, kjo është absolutisht një ëndërr që nuk do të realizohet kurrë”, shtoi ai.
– “Konfrontimi i drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë është padyshim shqetësues”
Në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë dhe mundësinë e një përplasjeje të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë, Erdoğan deklaroi: “Që në fillim kemi deklaruar se nuk do të jemi palë në këtë luftë, qëndrimi ynë është ekskluzivisht në favor të paqes. Zgjidhja nuk është më shumë gjakderdhje dhe vuajtje, por një paqe e qëndrueshme e arritur nëpërmjet dialogut, kjo ka rezultuar në më shumë dëm sesa dobi për Ukrainën”.
Duke theksuar rolin kyç të Ankarasë në bashkimin e Moskës dhe Kievit rreth të njëjtës tryezë në Antalya dhe Istanbul, përveç rolit të saj në Iniciativën e Drithit të Detit të Zi për të lehtësuar dërgimin e drithërave të bllokuara ukrainase, ai shtoi: “Perspektiva e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë është padyshim shqetësues Çdo hap që mund të çojë në këtë rezultat duhet të shmanget me vetëdije”.
“Ne jemi të mendimit se është e udhës që çështjes t’i qasemi me një qasje të orientuar drejt zgjidhjes dhe me vetëpërmbajtje”, shtoi ai.
Lidhur me marrëdhëniet e tij me presidentin rus Vladimir Putin, Erdoğan tha se edhe pse ata nuk kanë të njëjtat pikëpamje për çdo çështje, “ne jemi në gjendje t’i diskutojmë çështjet mes vete dhe të thellohemi në specifikat se si t’i zgjidhim ato”.
– “Partner i besueshëm”
I pyetur pyet për përfshirjen e Türkiyes në BRICS dhe Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), Erdoğan vuri në dukje se Türkiye është një aleate “e palëkundur” e NATO-s dhe theksoi: “Ne nuk besojmë se kjo pengon aftësinë tonë për të krijuar marrëdhënie pozitive me vende si Kina dhe Rusia as nuk mendojmë se Organizata e Bashkëpunimit të Shangait është një alternativë ndaj NATO-s”.
“Në mënyrë të ngjashme, ne nuk e konsiderojmë BRICS-in si një alternativë ndaj ndonjë strukture tjetër. Ne i konsiderojmë të gjitha këto struktura dhe bazat e aleancës si formacione me funksione të dallueshme”, shtoi ai.
Duke nënvizuar pozicionin “unik” të Ankarasë, Erdoğan tha se Türkiye forcon pozitën e saj si një “partner i besueshëm” në të gjitha strukturat ku merr pjesë. “Kjo është arsyeja pse, si anëtare e NATO-s, ne nuk e konsiderojmë problem ndërveprimin me vendet në SCO-së, BRICS-it, Bashkimin Evropian ose Organizatën e Shteteve Turke, ne besojmë se këto marrëdhënie kontribuojnë në paqen botërore”, theksoi presidenti turk.
– “Duam që Izraeli të tërhiqet nga Gaza”
Në lidhje me luftën në Gaza, Erdoğan deklaroi: “Izraeli po shkel ligjin ndërkombëtar. Çfarë ndodhi me rezolutën e KS të OKB-së për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza? Izraeli as nuk u shqetësua, e lëre më ta zbatonte atë”.
“Duam që këto sulme (të Izraelit) të ndalen menjëherë, Izraeli të tërhiqet nga Gaza dhe ndihma humanitare të dërgohet në Gaza pa ndërprerje. Duam që zgjidhja me dy shtete e bazuar në kufijtë e vitit 1967 të zbatohet për paqe të qëndrueshme në rajon”, theksoi Erdoğan.
“Kërcënimet e Izraelit kundër vendeve të rajonit, veçanërisht Libanit, dhe përpjekjet e tij për të përhapur konfliktin në gjithë rajonin duhet të ndalen. Përndryshe, rajoni ynë përballet me rrezik më të madh të konflikteve më të thella, madje edhe të luftës”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.