RajoniTop Lajme

Vuçiqi me shtatë kërkesa për Kosovën, publikon masat e Serbisë

Shpërndaje

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka prezantuar të premten masat që shteti i tij do t’i marrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës. Pos masave, ai ka shpalosur shtatë kërkesa për çështjen e “problemit të serbëve të Kosovës”, në mesin e të cilave ka renditur kërkesën për zgjedhje të reja në komunat në veri, kthimin e policëve dhe zyrtarëve të sistemit të drejtësisë në vendet e tyre të punës dhe formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Në një adresim për serbët, Vuçiqi ka thënë se do ta nisë një fushatë diplomatike në të gjithë botën që t’i plotësohen kërkesat. Vuçiqi ka paralajmëruar takime me 60 liderë botërorë për t’ua prezantuar shtatë kërkesa për përparim në dialog.

“Serbia është në situatë shumë të vështirë ligjore e politike për Kosovën. Ekonomikisht po zhvillohemi shumë shpejt, ndoshta për mrekulli, por ajo që mbetet pika jonë më e dhimbshme është padyshim Kosova”, ka thënë ai në prezantim të këtyre pikave.

Sipas Vuçiqit, masat që Serbia do t’i ndërmarrë përfshijnë pesë fusha. E para nga ato që ai ka prezantuar ka qenë kthimi “te gjithçka që është arritur në procesin e dialogut”. Këtu ka thënë se Serbia është treguar “më e përgjegjshme në të gjithë procesin”. Në një dokument që u është dhënë gazetarëve para takimit, siç raporton “N1”, shkruhet më shumë për këtë pikë. Aty thuhet se do të kërkohet që “të hiqen të gjitha pasojat nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të regjimit të Kurtit”. Këto i ka paraqitur si “parakushte të domosdoshme për përparim domethënës në procesin e dialogut”.

Vuçiqi te kjo fushë ka kërkuar pos zgjedhjeve të menjëhershme, edhe kthimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve serbë në pozitat e tyre dhe tërheqjen e forcave policore nga veriu i Kosovës. Kërkesë tjetër urgjente e tij ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Si masa të tjera, Vuçiqi ka thënë se Serbia do ta shpallë Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale” për të ndihmuar financiarisht të papunët.

Vuçiqi si masë tjetër ka thënë se do të ketë rezistencë të institucioneve serbe në Kosovë e themelim të një zyre prokurorie. Tek “rezistenca” parashihet që “institucionet serbe në Kosovë nuk do të shfuqizohen apo mbyllen”.

Po ashtu ai ka paralajmëruar që pranë kufirit me Kosovën do të hapen zyra për serbët e veriut, që të kenë qasje në shërbimet e mbrojtjes sociale.

Si masë e pestë paraqitet “vendimi për paligjshmërinë e të gjitha institucioneve në Kosovë të themeluara pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”.

Presidenti i Serbisë po ashtu ka thënë se ekspertët ligjorë kanë qenë kundër shpalljes së “okupimit”, siç është raportuar nga disa tabloide serbe e kjo çështje do të deklarohet në konferencën e Vuçiqit.
“Nuk duhet t’ua japim statusin e një force të armatosur ligjore. Nuk do t’u japim legjitimitet”, ka thënë ai. “Por ne nuk heqim dorë nga Kosova, por duam të ndihmojmë njerëzit tanë dhe prandaj po e bëjmë këtë. Nuk duam luftë, por i duam të drejtat tona në paqe”.

Lista e kërkesave të Vuçiqit:

Shpallja e “zgjedhjeve lokale të lira dhe demokratike” në veriun e Kosovës, me pjesëmarrjen e OSBE-së dhe mbikëqyrjen e BE-së,

Kthimin e serbëve në Polici dhe kthimin e gjyqtarëve e prokurorëve serbë në funksionet e tyre,

Tërheqjen e forcave speciale të Policisë së Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit në veri,

Tërheqjen e Policisë nga institucionet që “nga viti 1999 deri në mbylljen e paligjshme më 2024 ofronin shërbime vitale publike dhe administrative”,

Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe,

Zbatimin e menjëhershëm të “garancive të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara nga 28 dhjetori i vitit 2022, dhe lirimin e menjëhershëm të të gjithë të burgosurve politikë” të arrestuar nga Policia e Kosovës,
Kryerjen e pagesave të shërbimeve postare me dinarë serbë.