Erdoğan bën thirrje për një reagim më të fortë ndërkombëtar ndaj politikave pushtuese të Izraelit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë thirrje për një përgjigje më të fortë nga komuniteti ndërkombëtar kundër politikave pushtuese të Izraelit, veçanërisht nga Kombet e Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.
Në një video-mesazh drejtuar ngjarjes “Thirrja globale mbi samitin e së ardhmes”, presidenti Erdoğan u përshëndeti liderët e shteteve dhe qeverive dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
Erdoğan theksoi Samitin e së Ardhmes si një mundësi vendimtare për të forcuar solidaritetin ndërkombëtar dhe për të punuar drejt një sistemi global paqësor, të sigurt dhe të drejtë.
Ai e përshkroi samitin si një mundësi të rrallë për të trajtuar konfliktet e vazhdueshme globale, shtypjen, urinë dhe varfërinë.
Presidenti turk u bëri thirrje pjesëmarrësve që të shfrytëzojnë plotësisht mundësinë e ofruar nga Guterres dhe theksoi nevojën për paqe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt dhe të begatë.
Erdoğan gjithashtu theksoi ndikimet e rënda gjeopolitike të sfidave të tilla si terrorizmi, ksenofobia dhe ndryshimet klimatike, me situatën në Gaza që shërben si një shembull prekës.
Më tej, ai theksoi se “po përballemi me një situatë ku mbi 41 mijë njerëz kanë humbur jetën, duke përfshirë 17 mijë fëmijë, mbi 100 mijë njerëz janë plagosur dhe pothuajse e gjithë Gaza është shkatërruar”.
“Përballë politikave pushtuese të Izraelit, është e domosdoshme që komuniteti ndërkombëtar, veçanërisht OKB-ja, të ngrejë zërin më fuqishëm. Në një botë ku fëmijët po vdesin nga bombat, e them hapur se askush nga ne nuk mund të ndihet i sigurt. Si Türkiye, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë kundër shtypjes dhe përkrah të shtypurve dhe nuk do të tërhiqemi nga ky qëndrim humanitar”, tha presidenti Erdoğan.
Presidenti turk gjithashtu theksoi nevojën për një sistem qeverisjeje globale që përfaqëson në mënyrë të drejtë si vendet e zhvilluara ashtu edhe ato në zhvillim.
Ai shprehu mbështetje për një tranzicion në një sistem të fokusuar në transformimin e gjelbër, qëndrueshmërinë klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, duke siguruar që askush të mos mbetet pas.
“Ne duhet të mbrojmë demokracitë tona kundër të gjitha formave të gjuhës së urrejtjes, racizmit dhe lëvizjeve të djathta ekstreme që helmojnë shoqëritë tona”, tha Erdogan, duke shtuar se për të arritur të gjitha këto qëllime ka nevojë për të ri-formuar një sistem shumëpalësh me fokus në drejtësi.