“Balancuesi” vazhdon të përplasë partitë politike shqiptare
“Balancuesi” vazhdon të përplasë partitë politike shqiptare në vend. BDI thotë se me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nisja e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dizpozitave që lidhen me përkatësit etnike, është fillimi i rrënimit të marrëdhënieve ndëretnike.
“Çështja e anulimit të “Balanserit” do të hapë edhe shumë probleme të reja në periudhën në vijim të cilat mund dhe do të çojnë drejt rrënimit të themeleve bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Por, kështu ndodhë, kur shkelë vullnetin e shqiptarëve dhe paturpësisht bëhesh vazal i VMRO-së, kundër çdo interesi kombëtar”, thonë nga BDI.
Ndërsa, VLEN thotë se BDI nga frika po i bie kokës me gurin e vet, dhe se vendimi i kësaj përbërje të Gjykatës Kushtetuese bie mbi ndërgjegjen e udhëheqësis të kriminalizuar të BDI-së
“…fajtorët e drejtpërdrejtë për situatën aktuale me balancuesin janë Artan Grubi, Talat Xhaferi dhe Ali Ahmeti. Vendimi i kësaj përbërjeje të Gjykatës Kushtetuese bie mbi ndërgjegjen e kësaj udhëheqësie të kriminalizuar të BDI-së, e cila, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes penale për aferat korruptive të ish-funksionarëve, përpiqet dëshpërimisht të nxisë tensione ndëretnike duke u paraqitur rrejshëm si shpëtimtare e shqiptarëve. Po i bien kokës me gurin e vet. Shfrytëzojnë manipulime të ulëta duke thënë se shqiptarët janë të përfaqësuar në institucione vetëm kur kriminelët e BDI-së janë në pushtet. Publikisht pyesim: A ka ndonjë kufi që s’e keni shkelur? Si nuk iu vjen turp të nënvlerësoni popullin tuaj në këtë mënyrë? Mos vallë mendoni se shqiptarët, brenda 80 ditëve nga formimi i Qeverisë së re, do t’ju falin mëkatet dhe vjedhjet që u keni bërë?””, theksuan nga VLEN.
Nga VLEN thonë se ata janë garancia se vendimi i turpshëm i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e përdorimit të balancuesit nuk do të ndalojë punësimin e shqiptarëve në administratën publike, sepse ky është një status i garantuar kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit./Alsat.mk