MaqedoniTop Lajme

VMRO do të inicojë interpelancë për deputeten Dauti nëse nuk e thirr komisionin për “Branitellat”

Shpërndaje

VMRO – DPMNE këmbëngul që të zhbllokohet procedura për ligjin e “branitellave”. Deputetja e kësaj partie, Maria Miteve u ka bërë thirrje sot deputetëve të LSDM-së, të cilët janë anëtarë të Komisionit të Punës dhe Politikës Sociale të nënshkruan kërkesën që kryetarja e komisionit, Ilire Dauti nga Fronti Evropian, të vendosë ligjin në rend dite.

Marija Miteva, VMRO – DPMNE

“Deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit Maqedonia jote, anëtarë të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, i kanë bërë thirrje deputetëve të LSD-së nga i njëjti komision që ta nënshkruajnë kërkesën drejtuar Ilire Dautit për thirrjen e seancës së Komisionit me pikën e rendit të ditës – Propozim ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e veçanta të pjesëtarëve të forcave të sigurisë së Republikës së Maqedonisë dhe anëtarëve të familjeve të tyre, me procedurë të shkurtuar që është dorëzuar dhe është propozim i deputetes Slavjanka Petrovska”.

Ajo ka parlajmëruar se, nëse kryetarja e komisionit Ilire Dauti nuk e cakton seancën për këtë ligj, do të paraqesin kërkesë për shkarkimin e saj ose interpelancë.

Marija Miteva, VMRO – DPMNE

“Shfrytëzoj rastin që edhe një herë t’i bëj thirrje deputetes Slavjanka që të deklarohet publikisht për qëndrimin e LSD-së lidhur me këtë propozim. Në të kundërtën, këtë kërkesë deputetët e VMRO-DPMNE-së do ta paraqesin pa mbështetjen dhe nënshkrimet e deputetëve të LSD-së, gjë që praktikisht do të tregojë synimin e tyre të vërtetë për politizim”.

Kuvendi javë më parë votoi nevojën që ndryshimet ligjore për “branitellat” të sillen me procedurë të shkurtuar. Megjithatë, kryetarja e komisionit amë, Ilire Dauti nuk e caktoi seancën e komisionit në afat prej 24 orësh. Partitë shqiptare janë kundër miratimit të këtij ligji, pasi vlerësojnë se, është diskriminues.